Kryebashkiaku i Selanikut (Thessaloniki): Na duhet një axhendë e përbashkët zhvillimi

Kryebashkiaku i Selanikut (Thessaloniki): Na duhet një axhendë e përbashkët zhvillimi

Intervistë me kryetarin e Bashkisë së Selanikut (Thessaloniki) Konstantinos Zervas.

1. Ju pamë së fundmi në Tiranë ku morët pjesë në Ekspozitën Syn + Ergasia. Cili ishte qëllimi i kësaj vizite? A mendoni se u arrit qëllimi?

Ekspozita “Syn + Ergasia”, e organizuar nga Ambasada e Greqisë në Shqipëri në bashkëpunim me Bashkinë e Tiranës dhe Shoqatën e Bizneseve Greke të Shqipërisë, por edhe promovimi i Tiranës si Kryeqytet i Rinisë për vitin 2022, na dhanë mundësinë të ishim aty, t'i mbështesim këto përpjekje dhe më e rëndësishmja  të çelnim një kanal komunikimi dhe bashkëpunimi mes dy qyteteve. Çdo shans dhe çdo mundësi që përforcon dhe përmirëson marrëdhëniet dypalëshe dhe që synon forcimin e biznesit, duhet shfrytëzuar. Besoj se ky qëllim është arritur. Në të njëjtën kohë, pata kënaqësinë të bisedoj edhe me kryetarët e Bashkive të Dropullit dhe Finiqit, zona ku jetojnë pjesa më e madhe e minoritetit etnik grek në Shqipëri, si dhe të flas me biznesmenët grekë që ushtrojnë aktivitetin e tyre në Shqipëri.

2. Cilat mendoni se janë problemet kryesore të dy shoqërive dhe ekonomive të dy vendeve?

Vendet tona janë në Ballkan, jemi vende mesdhetare, rrethohemi me njëri-tjetrin si fqinj dhe natyrisht që përballemi me një sërë sfidash të përbashkëta. Ndryshimet klimatike, migrimi, rritja e kostove të energjisë, demografia, siguria rajonale dhe mbrojtja janë çështje që në fakt na shqetësojnë. Përtej kësaj mund të përmendja çështje lokale që jam i sigurt se shqetësojnë edhe Selanikun (Thessaloniki) edhe Tiranën. Për shembull, rritja ekonomike është një synim i përbashkët. Menaxhimi i mbetjeve, urbanizimi, tranzicioni i energjisë janë gjithashtu çështje të natyrshme. Transporti, infrastruktura apo hapësirat publike.

Më e rëndësishmja nga të gjitha, sigurisht, është vendi dhe rëndësia e qyteteve tona në hartën e botës, krijimi i pasurive të reja dhe zhvillimi i qëndrueshëm - një axhendë që na shqetëson të gjithëve.

3. Greqia renditet e 3-ta për numrin e kompanive të huaja që operojnë në Shqipëri, ndërkohë që vitet e fundit është shënuar një rënie e investimeve greke. Ju si kryetar i Bashkisë së Selanikut (Thessaloniki), si mendoni të kontribuoni në përmbysjen e kësaj klime?

Greqia ka qenë dhe mbetet një partner ekonomik dhe tregtar strategjik i Shqipërisë. Në të njëjtën kohë është një prej investitorëve më të fuqishëm në Shqipëri dhe një burim kryesor i drejtpërdrejtë për investimet e huaja në vend, me qindra kompani aktive në ekonominë lokale, që kujdesen për mijëra vende pune. Sigurisht që çdo qytet, çdo vend pretendon të sigurojë vetë një pjesë të investimeve – domethënë është logjike të ketë konkurrencë për këtë. Megjithatë, besoj thellësisht se bashkëpunimi është në interes të dy vendeve, por edhe qyteteve tona. Aderimi i Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Europian do të na hapë perspektiva të mëdha. Ne kaluam një një dekadë të vështirë të krizës ekonomike dhe ndoshta kjo është arsyeja pse pati një rënie të investimeve greke. Selaniku (Thessaloniki) pikërisht sepse ka një pozicion kyç gjeografik, ka port dhe ndodhet në kalimin e rrugëve kryesore, mund të luajë një rol më të gjerë për të gjithë Ballkanin. Për ta arritur këtë, ne investojmë në infrastrukturë, inovacion dhe teknologji, kërkimin shkencor dhe burimet njerëzore gjithashtu. Po ashtu, kemi institucione të njohura universitare në qytetin tonë. Një parametër vendimtar për investime në një vend tjetër është zhvillimi i marrëdhënieve, kontaktet dypalëshe dhe kultivimi i një klime besimi, nga e cila do të krijohen mundësi si për biznesin, ashtu edhe për investime.

4. Gjatë qëndrimit në Tiranë patët një takim me kryetarin e Bashkisë, z. Veliaj. Fakti që Tirana këtë vit është kryeqyteti i Rinisë, çfarë mundësish krijon për gjeneratën e re? Çfarë mundësish kanë të dyja bashkitë për të bashkëpunuar?

Po shikojmë përpjekjet e Erion Veliajt për Tiranën, për infrastrukturën, hapësirën publike. Është e rëndësishme që njerëz të rinj me ide, vizion dhe dëshirë për punë të jenë në krye të qyteteve. E rëndësishme është edhe pesha që i jep rinia gjithë kësaj përpjekje. Pata rastin ta përgëzoj zotin Veliaj për këtë sukses që të bëjë Tiranën kryeqytetin evropian të rinisë. Selaniku (Thessaloniki) ishte Kryeqyteti i Rinisë në vitin 2014, ka përvojën e një organizimi të suksesshëm dhe mund të japë njohuritë e veta në Tiranë në çdo gjë që na kërkohet. E ftova të vinte në Selanik (Thessaloniki) në prill me rastin e Konferencës Ndërkombëtare të Qyteteve të Evropës Juglindore.

Shekulli 21 është një shekull qytetesh dhe kjo është ajo që duhet të na çojë në një bashkëpunim më të ngushtë dhe shkëmbim të praktikave të mira. Pak muaj përpara kishim mundësinë të flisnim në Stamboll, në rrjetin B40 dhe ramë dakord të forconim kontaktet. Qytetet përparojnë dhe zhvillohen përmes sukseseve dhe infrastruktura - dhe jam i sigurt që kryetari e di këtë.

5. Paraardhësi juaj z.Boutaris kishte shprehur dëshirën për binjakëzimin e bashkive. Keni ndonjë mendim apo plan për zbatimin e mëtejshëm të kësaj ideje?

Selaniku është një qytet binjak me Korçën që nga 14/10/2005 dhe Durrësin nga 4/4/2012. Në fakt, në tërmetin e nëntorit 2019 në Durrës, ne ishim të pranishëm që në momentin e parë me një ekip humanitar të ndihmës sepse e dimë që ne grekët dhe shqiptarët ndodhemi brenda një zonë sizmogjene  dhe mbështetja e ndërsjellë është detyra jonë dhe ndoshta e vetmja mënyrë për të përballuar sfida të tilla në shkallë të gjerë. Sa për atë që po më kërkoni, nuk do të isha refuzues – por duhet të ketë një parapërgatitje. Qëllimi im është të kemi kontakte - bashkëpunim – dialog mes qyteteve sepse besoj nga kjo përfitojnë të gjithë. Mund të marr si shembull marrëdhënien që kemi me qytetin e binjakëzuar të Leipzig-ut në Gjermani,  i cili na ndihmoi me 49 autobusë të qytetit me një çmim preferencial për të përmirësuar transportin.

MCN Radio logo
MCN Radio
103.1 FM
Drupal Ad
Drupal Ad
MCN Radio logo
MCN Radio
103.1 FM
Radio
Intro

MCN TV është një televizion gjeneralist, i cili përfshin emisione, seriale, filma, dokumentarë etj. Ky televizion ka në dispozicion të tij katër studio televizive të pajisura me teknologjinë bashkëkohore.

Kategoritë
Streaming

MCN TV

MCN Radio

Contact

info@mcn.tv.al

+355 422 00200

All rights reserved. MCN 2025

Terms and ConditionsPrivacy Policy