
Politikani kristiandemokrat, Stephan Albani, thotë se imuniteti i parlamentarit është një e mirë e rëndësishme, por nga ana tjetër ai nuk është mbrojtje para një procedure ligjore. Në një intervistë për Dojçe Velen, Albani shprehet se e ka të pamundur të kuptojë pse ish-ministrit të Brendshëm nuk i hiqet imuniteti.
“Kuptoj ndjesinë e shumë shqiptarëve që duan të ecin përpara, që ndjejnë se nuk po bëjmë progres. Kisha edhe ambasadorin shqiptar këtu e folëm gjatë. Më duhet të them, se kriteret për fillimin e negociatave dihen, ato duhet vetëm të zbatohen, e këtu bën pjesë veçanërisht vullneti politik që siguron që korrupsioni dhe kriminaliteti i organizuar të luftohen me mjetet e shtetit ligjor. Prandaj nuk arrij ta kuptoj dot për shembull që ish-ministrit të Brendshëm nuk i hiqet imuniteti. Ne e kemi bërë këtë kushedi sa herë në Bundestag. Imuniteti i parlamentarit është një e mirë e rëndësishme, por nga ana tjetër ai nuk është mbrojtje para një procedure ligjore që synon zbardhjen e një çështjeje. Kjo është shumë e rëndësishme për të siguruar besueshmërinë e Shqipërisë në shkallë ndërkombëtare”, shprehet ai.
Ndërsa në lidhje me hapjen e negociatave për anëtarësimin e Shqipërisë në BE, Albani thekson se më shumë sesa për fjalë ka nevojë për fakte, zbatimin e reformave.
“Jemi në fillim të vitit, kemi raportet e progresit që do të publikohen në shkurt, e një proces që zgjat deri aty nga mesi i vitit. Nuk është pak por as shumë kohë. Si fizikant dhe politikan për mua vlejnë faktet, ia kam thënë në bisedë edhe ambasadorit shqiptar. Faktet jo vetëm në letër, por në zbatim konkret të tyre. Në letër shikoj disa gjëra, por në zbatim jo kushedi sa shumë. E kam siguruar se do ta formuloj rekomandimin tim për negociatat mbi bazën e fakteve nga mesi i vitit. Po qe se faktet janë të tilla që në këtë pikë nuk është bërë progres, atëherë faktet janë kaq të pakëndshme, saqë nuk mund ta përfytyroj se gatishmëria do të jetë shumë e madhe”, shprehet ai.
Ndërsa në lidhje me klimën politike në Shqipëri dhe akuzat e ndërsjellta opozitë- qeveri, Albani thotë se të dyja palët duhet të nxjerrin mësime.
“Thjesht ndaloni me këto. Po qe se kërkohet një perspektivë në BE duhet që qeveria dhe opozita të sillen si ju takon. Po qe se kjo nuk është e siguruar, atëherë mungon çdo kriter, prandaj shpresoj që të dyja palët ta kuptojnë këtë. Palët duhet nxjerrin mësimet e tyre dhe të ndryshojnë qartësisht sjelljen ndaj njëri-tjetrit dhe të veprojnë me arsye”, shprehet ai.



