
Në Vatikan ka nisur punimet samiti me temë “Mbrojtja e minorenëve në kisha”. Takimi 3-ditor mbahet në sallën e re të Sinodit dhe drejtohet nga vetë Papa Françesku. Në samit marrin pjesë krerët e Konferencave Ipeshkvnore të Kishës Katolike, udhëheqësit e Kishave katolike të Lindjes, përfaqësues të Unionit të eprorëve të Përgjithshëm dhe Unionit Ndërkombëtar të eprorëve të Përgjithshëm dhe anëtarët e Këshillit të Kardinalëve.
Kreu i Konferencës Ipeshkvnore të Shqipërisë, George Frendo, i cili merr pjesë në këtë samit, thotë se në të ka një atmosferë dialogu dhe vëllazërie.
Duke folur për Infovaticana në Romë, Frendo, thotë se Papa Françesku, i cili e ka iniciuar këtë samit, është i vendosur t’i shkojë deri në fund një prej çështjeve më delikate që ka shqetësuar kishën dhe për më tepër besimtarët katolikë në dekadat e fundit.
"Po shprehim shqetësimet tona, dëshirat tona dhe problemet tona. Sepse, siç e dimë, Papa Françesku është një dëgjues shumë i mirë dhe është i vendosur për t'u dhënë fund abuzimeve, "theksoi ai.
Për arkipeshkvin e Arkidioqezës Metropolitane Tiranë-Durrës, ky samit është fillimi i fundit të abuzimeve, por megjithatë ai thekson se kjo nuk do të ndodhë shumë shpejt. "Nuk do të ndodhë brenda disa ditësh apo vitesh, por të paktën ka një fillim të ri", ka thënë ai.
Peshkopi i Shqipërisë ka të njëjtin qëndrim me Papën, kur thotë se kisha nuk ua mbyll derën homoseksualëve, por kur ata janë në radhët e saj, atëherë kjo kthehet në rrezik.
"Çështja e homoseksualitetit në lidhje me priftërinjtë është gjithmonë një pengesë. Sepse priftërinjtë janë më të ekspozuar për të takuar njerëz, burra dhe gra, dhe nëse një prift është homoseksual, kjo është gjithmonë një rrezik. Ne nuk mund t’i dënojmë homoseksualët, sepse kjo është një kishë nënë dhe duhet t’i pranojë të gjithë. Por sa u takon priftërinjve që kanë prirje të tilla, është gjithnjë e rrezikshme".
Duke iu referuar shifrave të abuzimeve seksuale të raportuara, 80 % e viktimave janë meshkuj. Për Frendon, kjo mund të jetë një tregues i homoseksualitetit të radhët e kishës katolike.
“Sidoqoftë mund të jetë e vërtetë, se shumica e priftërinjve pedofilë janë homoseksualë", shprehet ai në intervistë.



