Rritja e cilësisë së shërbimit dhe përmirësimi i kushteve të transportit urban për qytetarët duket se do te kalojë përmes bashkëpunimit ndërmjet Bashkisë së Tiranës dhe Shoqatës së Transportit Urban. Për herë të parë në studion e “Mikroskop”, përfaqësuesi i Shoqatës së Transportit Urban, Ferdinand Ibrahimi, pranoi se bashkëpunimi me Bashkinë e Tiranës po funksionon brenda gjashtë muajve të parë të ardhjes së Erion Veliajt në krye të Bashkisë më të madhe në vend.
Nga ana tjetër nënkryetari i Bashkisë së Tiranës, Arbjan Mazniku kërkoi që pas rritjes së çmimit të biletës, qytetarëve tu sigurohet një shërbim cilësor, jo si ai i deritanishmi me vonesa dhe pa orare fikse.
“Cilësia e shërbimit do të ndryshojë patjetër.Ajo që duhet të sigurohemi është, që shërbimi do të ndryshojë patjetër. Bashkia do të kerkojë që kompanitë në këtë pikë të përmirësojnë brenda parametrave të mundshëm cilësinë e shërbimit edhe me këtë çmim.Kjo do të thotë që do të ndryshojë frekuenca e shërbimit, pastërtia në autobusa ,ngrohja – ftohja”, tha ai në Mikroskop me Irida Feshtin.
Ndërsa përfaqësuesi i Shoqatës së Transportit, Ferdinand Ibrahimi, i cili zotëron nëj nga linjat më problemtaike, atë të Unazës, tha se ndryshimi do të ndodhë, por aplikimi i tarifës prej 70 lekësh do të ishte veprimi i duhur për t'i ofruar qytetarëve shërbimin optimal.
Rritja e çmimit për transportin urban është anashkaluar nga Nënkryetari i Bashkisë, Arbjan Mazniku duke theksuar fort se prioriteti i Bashkisë së Tiranës në këtë moment eshte rritja e standarteve të shërbimit për qytetarët.
Edhe pse te pakënaqur me rritjen e çmimit të biletës prej 10 lekësh, Shoqata e Trasportit Urban do të vijojë bashkëpunimin me Bashkinë e Tiranës për të rritur cilësinë e shërbimit brenda tarifës së çmimit te biletës prej 40 lekësh, që do të aplikohet për qytetarët e kryeqytetit duke filluar nga data 1 Shkurt 2016.



