
Të tjera detaje të zbuluara së fundmi hedhin dritë për të ardhmen e Lionel Messi-t, që është bërë një enigmë e vërtetë që prej datës 25 gusht. Kjo për shkak se ai kërkoi të largohej nga Barcelona, duke aktivizuar kontratën e tij, që e lejon të largohet nga katalanasit me parametër zero një vit para skadencës.
Sipas mediave angleze e ardhmja dihet dhe kjo është Manchester City. Kjo pasi menjëherë pas turpërimit nga Bayern 8-2 në Champions League Messi ka telefonuar Guardiolën dhe i ka thënë se dëshiron të bashkohet më të.
Në Spanjë shkojnë përtej kësaj. “El Chiringuito” thotë se Guardiola nuk ka duruar dhe nuk i ka mjaftuar sqarimi në telefon. Sipas këtij burimi, trajneri spanjoll është nisur menjëherë drejt vendlindjes, ku ka folur kokë me kokë me ‘yllin’ argjentinas.
Shumë shpejt pritet të dalë tym i bardhë për këtë marrëveshje, por pas dritares qëndron edhe Inter, që nga ana e saj po tenton të mos e lërë 33-vjeçarin t’i ikë nga duart.



