Një zjarr i përmasave të mëdha ka rënë pak minuta më parë në Lagjen e Spitalit, në qytetin e Lezhës, duke shkaktuar alarm mes banorëve të zonës.
Sipas informacioneve paraprake, flakët kanë nisur fillimisht në një grumbull mbeturinash dhe, të favorizuara nga temperaturat e larta dhe era e fortë, janë përhapur me shpejtësi në drejtim të banesave, duke krijuar rrezik serioz.
Falë ndërhyrjes së menjëhershme të forcave zjarrfikëse dhe strukturave të Emergjencave Civile, zjarri u vu nën kontroll në kohë, duke shmangur përhapjen e mëtejshme të flakëve dhe dëmtimin e banesave.
Operacioni i shuarjes u vështirësua nga temperaturat që arritën deri në 40 gradë Celsius, si dhe nga era e fortë, ndërsa ekipet e emergjencës punuan për disa orë deri në neutralizimin e plotë të vatrës së zjarrit.
Ndërkohë, policia ka nisur hetimet për të zbardhur shkaqet e zjarrit dhe për të përcaktuar nëse ai ka qenë i qëllimshëm apo pasojë e rrethanave aksidentale.



