Samiti virtual i Parisit/ Macron ultimatum Hotit e Vuçiçit: Duhet të ketë një zgjidhje përfundimtare dhe ligjore

Samiti virtual i Parisit/ Macron ultimatum Hotit e Vuçiçit: Duhet të ketë një zgjidhje përfundimtare dhe ligjore

Presidenti i Francës, Emmanuel Macron ka hapur Samitin virtual të Parisit me Kryeministrin e Kosovës, Avdullah Hoti dhe Presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiç, ku në qendër të diskutimeve ka qenë dialogu Kosovë-Serbi. 

Macron ka thënë se kthimi në negociata është i domosdoshëm dhe kerkon një zgjidhje përfundimtare dhe ligjore. Po ashtu ai thekson se stabiliteti i Ballkanit është përgjegjësi e Bashkimit Evropian.

“Rezultate substanciale janë arritur për dhjetë vjet me ndërmjetësimin e BE-së. Duhet të ketë një zgjidhje përfundimtare dhe ligjore. Sipas asaj që shohim ka një problem. Të gjithë prej nesh janë përfshirë në këtë mosmarrëveshje dhe mendoj se stabiliteti i Ballkanit është përgjegjësi e Bashkimit Evropian. Dialogu është në interes të të gjithëve. Ka situatë të paqëndrueshme me shumë rreziqe dhe jostabilitet”, ka thene Macron.

Nga ana tjetër kryeministri Avdullah Hoti i ka thënë presidentit francez dhe kancelares gjermane se për Kosovën marrëdhëniet me Serbinë vazhdojnë të mbeten çështje shqetësuese, shkuajne mediat kosovare.

Në fjalën e tij, kreu i Qeverisë së Kosovës ka prezantuar tri parimet kryesore, në të cilat thuhet se integriteti territorial i Kosovës është i pacenueshëm dhe s’mund të jetë pjesë e negociatave, rendi kushtetues i Kosovës nuk mund të preket dhe se marrëveshja finale me Serbinë duhet të jetë në përputhje të plotë me Kushtetutën e Republikës së Kosovës.

Gjithashtu, kreu i Qeverisë ka thënë se marrëveshja finale Kosovë-Serbi duhet të ketë si rezultat edhe fitimin e ulëses në OKB për Kosovën.

Përveç kësaj, Hoti ka thënë se duhet të zgjidhet edhe fati i personave të pagjetur dhe të vendoset drejtësi për të gjitha viktimat e të gjitha formave të dhunës që janë ushtruar nga Serbia gjatë luftës.

Hoti ka thënë se mbi bazën e këtyre parimeve dhe synimeve, Kosova është e gatshme që të vazhdojë tutje dialogun.

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç ka deklaruar të premten se shteti i tij është i gatshëm të flasë rreth hapave për përmirësimin e marrëdhënieve, por jo edhe për ultimatume, duke paralajmëruar se të dielen do të organizohet një video-konferencë, si fillim formal i dialogut Kosovë-Serbi, teksa të enjten edhe takimi zyrtar në Bruksel, raportojnë mediet serbe.

 “Pala shqiptare ka dalë me kërkesa që janë: ruajtja e integritetit territorial dhe kushtetues të Kosovës, njohja e qëndrueshme të ndërsjellë dhe jo modelin e dy Gjermanive, anëtarësimi i Kosovës në Kombet e Bashkuara dhe që shtetet tjera ta pranojnë Kosovën, e pastaj do të merren me çështjet e të zhdukurve dhe dëmet e luftës. Unë kam thënë se e gjitha kjo është e pakuptimtë, se jam i gatshëm të flasim dhe të bëjmë hapa të vegjël”, ka thënë presidenti i Serbise.

Vuçiç ka thënë se do të jenë nën presion të madh dhe njëkohësisht po përballen me “me çasje totalisht joreale të shqiptarëve të Kosovës që duan çdo gjë, e Serbia të mbetet pa asgjë”.

“Ne marrim pjesë në dialog nën ombrellën e BE-së, është e rëndësishme për ne”, ka shtuar presidenti serb. “Pala shqiptare kanë thënë se asociacioni komunave serbe nuk është në përputhje me Kushtetutën e tyre. Nëse nuk jeni në gjendje ta plotësoni këtë për shtatë vjet e gjysmë, si mendoni të plotësoni gjërat tjera.”

08:49h-  Hoti dhe Vuçiç sot në “samitin virtual”

Pikërisht pas një viti vonesë, sot pritet të mbahet Samiti i Parisit për t’i dhënë mbështetje politike dialogut Kosovë-Serbi. Ani pse virtualisht dhe në distancë dy liderët evropianë, Merkel dhe Makron pritet t’i japin shtysë dhe dinamikë të re rikthimit në tavolinën e bisedimeve mes shteteve fqinje më 12 korrik në Bruksel.

Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiç, do të zhvillojnë sot një “samit virtual”, që do të ndërmjetësohet nga presidenti i Francës, Emmanuel Macron dhe kancelarja gjermane, Angela Merkel.

Nga Zyra e Macronit thonë se ky është një samit franko-gjerman dhe i BE-së. BE-ja në këtë samit do të përfaqësohet nga përfaqësuesi i lartë, Josep Borrell.

Për samitin virtual që mbahet të premten, e të cilin e organizojnë Gjermania dhe Franca, Vuçiç ka thënë se nuk është i sigurt që mund të publikohet një deklaratë e përbashkët.

Mbajtja e këtij samitit të Parisit dhe dialogu në Bruksel vjen pas shtyrjes të një takimi ndërmjet Kosovës dhe Serbisë në Shtëpinë e Bardhë më 27 qershor.

MCN Radio logo
MCN Radio
103.1 FM
Drupal Ad
Drupal Ad
MCN Radio logo
MCN Radio
103.1 FM
Radio
Intro

MCN TV është një televizion gjeneralist, i cili përfshin emisione, seriale, filma, dokumentarë etj. Ky televizion ka në dispozicion të tij katër studio televizive të pajisura me teknologjinë bashkëkohore.

Kategoritë
Streaming

MCN TV

MCN Radio

Contact

info@mcn.tv.al

+355 422 00200

All rights reserved. MCN 2025

Terms and ConditionsPrivacy Policy