Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë ofruar një shumë prej 25 milionë dollarësh për informacionin që çon në arrestimin e Presidentit venezuelian Nicolas Maduro ditën e sotme, pikërisht në ditën kur ai u betua për një mandat të tretë gjashtëvjeçar.
Ceremonia e inaugurimit u la në hije nga akuzat nga komuniteti ndërkombëtar dhe udhëheqësit e opozitës venezueliane.
Shpërblime janë ofruar edhe për informacionin që çon në arrestimin ose dënimin e ministrit të Brendshëm Diosdado Cabello. Një shpërblim i ri deri në 15 milionë dollarësh është ofruar për ministrin e Mbrojtjes Vladimir Padrino.

Nga ana e saj Mbretëria e Bashkuar lëshoi sanksione ndaj 15 zyrtarëve të lartë të Venezuelës, përfshirë gjyqtarë, anëtarë të forcave të sigurisë dhe zyrtarë ushtarakë.
Zyra e Jashtme, Commonwealth tha se të sanksionuarit ishin përgjegjës për “minimin e demokracisë, sundimin e ligjit dhe shkeljet e të drejtave të njeriut”.
Sekretari i Jashtëm David Lammy vazhdoi duke e përshkruar regjimin e Maduros si “mashtrues”.
Po gjatë së premtes, Bashkimi Europian tha se po zgjeronte masat kufizuese kundër Venezuelës për shkak të “mungesës së përparimit që çon në rivendosjen e demokracisë dhe shtetit të së drejtës”.
Blloku sanksionoi 15 zyrtarë të tjerë venezuelianë.
Kanadaja vendosi sanksione të reja në ato që ministrja e Jashtme Melanie Joly i quajti “veprimet e paturpshme” të Maduros.
Kanadaja nuk do të tolerojë erozionin e procesit demokratik ose shtypjen e qytetarëve që kërkojnë të shprehin të drejtat e tyre.
Shpërblimi nga SHBA përmend akuzat për narkotikë dhe korrupsion që datojnë që nga viti 2020.
Në vitin 2020, SHBA-ja akuzoi Maduro-n dhe zyrtarë të tjerë të lartë në vend për “narko-terrorizëm”.
Nga ana e tij Maduro i ka hedhur poshtë akuzat. SHBA ri-imponoi sanksionet e naftës vitin e kaluar, pasi i lehtësoi ato përkohësisht me shpresën se Maduro mund të nxitet për të mbajtur zgjedhje të lira dhe të ndershme.
Presidenti i Venezuelës ka fajësuar për kolapsin ekonomik në vendin e tij sanksionet e udhëhequra nga SHBA-të që i quan të paligjshme dhe perandorake.
Të premten, Presidenti Maduro bëri betimin, duke u zotuar se mandati i tij i tretë gjashtëvjeçar në detyrë do të ishte një “periudhë paqeje”.
Ky mandat i ri presidencial do të jetë periudha e paqes, prosperitetit, barazisë dhe demokracisë së re.
Betohem për historinë, betohem për jetën time dhe do ta përmbush atë.
Rezultatet e zgjedhjeve të 28 korrikut u refuzuan gjerësisht nga komuniteti ndërkombëtar, përfshirë Brazilin dhe Kolumbinë, disa nga fqinjët e majtë të Venezuelës.
Vetë inaugurimi ishte një çështje e kontrolluar fort. Shumica e mediave të akredituara venezueliane nuk u lejuan brenda dhe as gazetarët e huaj nuk u lejuan në vend.
Maduro ka disa aleatë të mbetur si Iranin, Kinën dhe Rusinë, por është gjithnjë e më i izoluar në skenën botërore.
Presidentët e Kubës dhe Nikaraguas ishin të vetmit udhëheqës të pranishëm në inaugurim.
62-vjeçari u shpall fitues i zgjedhjeve presidenciale të korrikut të kaluar, por opozita dhe shumë vende, përfshirë SHBA-në, kundërshtuan rezultatin dhe njohën kandidatin e opozitës në mërgim Edmundo Gonzelez si Presidentin e zgjedhur legjitim.
Gonzalez u largua nga Venezuela në shtator dhe ka jetuar në Spanjë, por këtë muaj shkoi në një turne nëpër Amerikë për të mbledhur mbështetjen ndërkombëtare.
Qeveria Maduro ka lëshuar një urdhër arresti për të, duke ofruar një shpërblim prej 100.000 dollarësh për informacionin që çon në ndalimin e tij.
Po gjatë së premtes, Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së Antonio Guterres bëri thirrje për lirimin e të gjithë atyre që janë “arrestuar arbitrarisht” që nga zgjedhjet.



