Avokati dhe kandidati në primaret e PD Përparim Çaça tha në MCN Live se garuesit në këtë proces duhet të jenë të pranishëm në numërimin e votave.
Çaça thotë se nëse primaret do ishin mbajtur më herët do kishte pasur më shumë kohë për sheshimin e hatërmbetjeve.
“Nuk po them se presim mrekulli nga procesi. Primaret janë të vonuara. Do të kishte qenë më mirë që procesi të ishte mbyllur më herët. Asnjë sistem nuk është perfekt. Ky është një proces i ri. PD është e para që po e realizon këtë proces. Qëllimi i primareve është t’ia heqë pushtetin kryetarit dhe t’ia kalojë anëtarësisë. Ideja është që anëtarët vetë të përcaktojnë listat e hapura. Problemi qëndron te besueshmëria e procesit. A ka gjyqtarë? Gjyqtarja e Apelit të partisë më duket se është edhe vetë kandidate. Nëse votat nuk numërohen në prani të kandidatëve, atëherë nuk ka pasur garë. Ose kutitë numërohen në degë, ose nëse do të numërohen në Tiranë, do të jenë edhe vetë kandidatët aty. Uroj që çdo votë që anëtarët hedhin, të numërohet. Rreziku për hatërmbetje është eminent. Po të kishim pasur kohë mund të sheshoheshin hatërmbetjet”.
I pyetur mbi deklaratat e Berishës për shkrirjen e SPAK-ut, Çaça thotë:
“Qasja apo ajo që ka thënë z.Berisha për SPAK-un ka qenë koherente. T’ia japim Cezarit atë që është Cezarit. Risia tashmë është te z.Rama tashmë. Atë reformën në drejtësi askush s’e ka dashur, thjesht i kanë marrë për veshi dhe u kanë thënë do votoni kështu. Kjo është zgjedhje që bën Berisha, sa mund të këtë produktivitet është çështje tjetër. SPAK-u duhet të jetë institucion i pavarur. E arrin dot këtë? Këtë duam ne. Ne jemi në fushatë, unë mendoj që Berisha i ka menduar pasojat”.



