Presidenti turk, Recep Tayyip Erdogan, u është përgjigjur ashpër Shteteve të Bashkuara të Amerikës të enjten duke deklaruar se Ankaraja “nuk e kapërdin” ndihmën me armë që Uashingtoni po u bën grupeve terroriste në Siri.
Erdogan, duke folur në një ceremoni ndarjesh çmimesh në Pallatin Presidencial në Ankara tha se Turqia prej kohësh u kishte bërë thirrje shteteve perëndimore të mos bëjnë dallim mes organizatave terroriste dhe të mos përdorin disa grupe terroriste për të luftuar disa të tjera.
Disa ditë më parë, Presidenti turk akuzoi se forcat e koalicionit, ku përfshiheshin edhe SHBA-të mbështesnin grupet terroriste në Siri, mes tyre edhe ISIS-in, por Shtëpia e Bardhë u përgjigj duke thënë se “akuzat e Erdoganit ishin qesharake”.
Ky reagim i Uashingtonit, siç duket ka sjellë ndryshim në akuzat që Ankaraja zyrtare i drejton SHBA-ve, me zyrtarët turq që nuk përmendën më sot ISIS-in, por grupet terroriste kurde në veri në Sirisë.
“E merrni dot me mend, ne jemi bashkë me ju në NATO. Pavarësisht kësaj ju këtë mbështetje nuk na e ofroni ne por grupeve separatist terroriste,” tha Erdogan duke folur rreth ndihmave që SHBA u jep kurdëve në Siri, të cilët Turqia i konsideron rrezik edhe për territorin e saj pasi thotë se janë zgjatim i PKK-së, një grup terrorist kurd i përfshirë në luftime me forcat turke brenda Turqisë.
Presidenti turk vazhdoi më tej duke theksuar se të gjithë ata që bashkëpunojnë me organizatat terroriste duhet të bëhen gati për t’u “mbytur në gjak dhe lot”.



