
Kina nuk dëshiron të “goditet” nga sanksionet ndaj Rusisë.
“Kina nuk është pjesë e krizës, aq më pak dëshiron të goditet nga sanksionet”, tha ministri i Jashtëm Wang, në bisedën telefonike që pati me homologun e tij spanjoll Jose Manuel Albares.
“Kina ka kundërshtuar gjithmonë përdorimin e sanksioneve për të zgjidhur problemet, për të mos përmendur sanksionet e njëanshme që nuk kanë bazë në të drejtën ndërkombëtare, të cilat do të dëmtojnë jetesën e njerëzve në të gjitha vendet," tha Wang Yi.
Ndërsa Pekini nuk i mbështet sanksionet perëndimore, Shtëpia e Bardhë po i bën presion ekonomisë së dytë më të madhe të planetit që të përmbahet nga shpëtimi i Rusisë dhe një dërgim i mundshëm i armëve në ndihmë të Moskës.
Dje Kina, përmes kreut të diplomacisë së Partisë Komuniste Kineze, Yang Jiechi, paralajmëroi Shtetet e Bashkuara të mos përhapin "informacione të rreme për të shtrembëruar ose diskredituar pozicionin e Kinës" në lidhje me krizën në Ukrainë.
Paralajmërimi u dha në një takim në Romë me Këshilltarin e Sigurisë Kombëtare të SHBA-së, Jake Sullivan.



