LSI e konsideron të çmuar kohën që është në dispozicion të zgjidhjes së krizës politike dhe shprehet e gatshme për të hequr dorë nga posti i presidentit në funksion të arritjes së një marrëveshjeje. Në një deklaratë për mediat në emër të LSI, kryetari Petrit Vasili shprehet se mbështet kompromisin e propozuar nga McAllister dhe Fleckenstein, ndërsa i cilëson “lojëra politike” negociatat dhe strategjitë e deritanishme të PS-së dhe opozitës.
“Lëvizja Socialiste për Integrim i ka qëndruar dhe i qëndron pikë për pikë kompromisit të z. McAllister dhe të mbështetur nga z. Fleckenstein dhe nuk ka nevojë të diskutohet më. Paketa duhet të zbatohet pikë për pikë nga të dy palët. Boll më me këtë teatër jo transparent. Përgjegjësitë për bllokimin e zgjidhjes janë të atyre që nuk e mbështetën dhe nuk e mbështesin edhe tani propozimin e z. McAllister.
Pata paralajmëruar publikisht se vizita e zv.ndihmës Sekretarit të Shtetit, z. Hoyt Brian Yee ishte një shans për kompromisin. Duhet t’i jepet fund një orë e më parë të gjitha lojërave politike, që trondisin stabilitetin dhe sigurinë e vendit dhe të qytetarëve. Lëvizja Socialiste për Integrim është e gatshme të kthejë edhe postin e Presidentit të Republikës në shërbim të zgjidhjes së shpejtë të krizës”, shprehet Vasili në deklaratë.



