Deputeti i LSI-së, Nasip Naço, e quajti një program dëshirash programin e qeverisjes 4-vjeçare të paraqitur nga kryeministri Rama. Ish-ministri i Drejtësisë tha se në kushtet kur ka luksin e numrave, kryeministri Rama duhet të mbajë edhe përgjegjësinë për qeverisjen e katër viteve të ardhshme.
“Në traditën tonë politike, sukseset mbahen për vete, dështimet u mbarten aleatëve. Kemi dëgjuar shpesh se policët jeshilë janë të këqinjtë, ata blu janë të mirët, se i mbyllin sytë për tonelatat e drogës.
Nuk është abuzim të thuhet se sot shqiptarët janë më të varfër. Në qarkun e Beratit janë mbi 3 mijë familje me ndihmë ekonomike, por edhe 3 mijë të tjera që presin të bëhen pjesë e skemës. Këto familje janë në luftë për mbijetesë.
Sot në 4 cepat e Shqipërisë shumë shqiptarë e shohin shpresën për të mbijetuar në listat në dyqane. Edhe në farmaci kanë lekë borxh.
Kjo maxhorancë ka luksin të bëjë çdo lloj reforme. Është vetë zot e vetë shkop, por duhet të mbajë përgjegjësinë vetë. Programi i zotit Rama ishte plot me dëshira, por vetëm kaq”, tha ai.



