Komisioni parlamentar i Ligjeve miratoi sot fondet për partitë politike që do të marrin pjesë në zgjedhjet parlamentare të 25 prillit.
130 milionë lekë do të jetë shuma në total që Komisioni Qendror i Zgjedhjeve do të ketë në dispozicion për fushatën e partive, të cilat vetë politika kishte harruar t’i jepte.
Në relacionin e dokumentit të miratuar shprehet qartë se këto para duhet të ishin alokuar që në muajin nëntor 2020 kur kaloi buxheti vjetor për vitin 2021, por një gjë e tillë nuk ishte bërë. Të njëjtin shqetësim ngriti edhe deputeti socialist Bashkim Fino gjatë punimeve të komisionit të sotëm, duke e cilësuar absurd vendimin që Komisioni duhet të korrigjojë buxhetin pa një akt normativ.
“Që të prishet buxheti duhet një akt normativ nga qeveria. Ne nuk marrim vendim. Ne thjesht i themi Ministrisë së Financave, ju keni bërë një gabim në planifikimin e fondeve dhe meqenëse ka një kërkesë nga KQZ, ju lutem, jo 65 milionë lekë për partitë politikë, por duhet të jepni 130 milionë lekë. Pra, zoti Kryetar ne po kalojmë një kërkesë nga KQZ-ja dhe mua më duket absurde kjo që po kalojmë”, tha Fino.
Pavarësisht kundërshtive, deputetët dhanë votën pro ndaj projektvendimit pasi vetë Kodi Zgjedhor ka përcaktuar shumën që shteti duhet të paguajë për fushatën zgjedhore.
I vetmi që ka votuar kundër, ishte deputeti opozitar, Adriatik Alimadhi, i cili është edhe drejtues i një partie të vogël, që nuk përfiton nga këto fonde.
Sa përfitojnë partitë politike për zgjedhjet e 25 prillit:
Partia Socialiste do të marrë 63 417 047 lekë,
Partia Demokratike 38 911 877 lekë,
Lëvizja Socialiste për Integrim 20 012 797 lekë,
Partia Drejtësi, Integrim dhe Unitet 7 447 477 lekë,
Lista e Barabartë 4 841 667 lekë dhe Partia Socialdemokrate 5 369 137 lekë.



