
Izraeli ka rënë dakord me propozimin e Presidentit të SHBA-së Donald Trump për një armëpushim me Iranin, tha kryeministri Benjamin Netanyahu në një deklaratë. Deklarata e tij vjen pasi Presidenti Trump tha se armëpushimi tani është në fuqi dhe u bëri thirrje të dyja palëve të mos e shkelin atë.
Njoftimet erdhën pasi Irani lëshoi disa breshëri raketash drejt Izraelit, duke vrarë të paktën katër persona në qytetin jugor të Beershebës.
Ligjvënësi izraelit Avigdor Lieberman, i cili kryeson partinë e krahut të djathtë Yisrael Beiteinu, ka paralajmëruar se është gabim të arrihet një armëpushim me Iranin përpara se ky i fundit të dorëzohet plotësisht.
“Nuk ka asgjë më të rrezikshme sesa të lësh një luan të plagosur”, shkroi ai në një postim në X. “Kjo me siguri do të na çojë në një luftë tjetër brenda dy ose tre vjetësh, dhe në kushte shumë më të këqija.”



