Gazetari Alejandro Martinez Noguez u vra të dielën më 4 gusht në shtetin meksikan të Guanajuato, pavarësisht nga mbrojtja policore që kishte.
I specializuar në lajmet e kronikës, ai ishte nën mbrojtje që nga një tentativë për sulm kundër tij. Gazetari u qëllua për vdekje teksa po kthehej nga puna, nga persona të panjohur ndërsa udhëtonte në një makinë me truprojat e tij, njoftoi Departamenti i Sigurisë së qytetit Celaya.
Persona civilë të armatosur në bordin e një furgoni i qëlluan me breshëri të shtënash në drejtim të automjetit të caktuar nga bashkia për transportin dhe shoqërimin e gazetarit.
Burime policore i thanë AFP se truprojat e Alejandro Martinez Noguez, oficerë të policisë lokale, zmbrapsën sulmin, por një plumb e goditi në kokë gazetarin, i cili ndodhej në sediljen e pasagjerit.
Oficeri i policisë që drejtonte mjetin u nis me urgjencë në spital, por gazetari gjeti vdekjen.
Në vitin 2022, Alejandro Martinez Noguez ishte objektivi i një sulmi dhe që atëherë mbrohej nga oficerët e policisë bashkiake, sipas një programi shtetëror meksikan të krijuar për të mbrojtur gazetarët e kërcënuar.
Ai drejtonte një faqe lajmesh në Facebook të quajtur “El Hijo del Llanero Solititito”, e cila ka rreth 343 mijë ndjekës. Raportimi i tij i fundit është një video njëzet minutëshe mbi një aksident rrugor.
Meksika konsiderohet si një nga vendet më të rrezikshme për gazetarët, sipas disa organizatave për lirinë e shtypit.
Në një raport të fundit, Reporterët pa Kufi tha se më shumë se 150 gazetarë ishin vrarë që nga viti 1994 në Meksikën e goditur rëndë nga krimi i organizuar.



