Gazetari Klodian Tomorri e cilëson antikushtetues aktin normativ të qeverisë “Rama” për shtyrjen e qirave nga ana e qiradhënësve. Në një bisedë në studion e lajmeve në TvT, Tomorri tha se me këtë vendim, qeveria ka shmangur detyrimin e vet, duke e zhvendosur atë te individët.
“Duhet thënë që kjo është hera e parë në botë kur qeveria heq dorë nga politika sociale dhe i detyron individët të bëjnë politikë sociale, pra të bëjnë mbrojtje sociale. Detyrimin për të bërë sociale dhe për të mbrojtur shtresat në nevojë e ka vetëm qeveria. Qeveria i ka bërë bisht një detyrimi të vet, duke ia ngarkuar këtë detyrim individëve. Fillimisht u tha që këto pagesa të mos bëheshin fare, më pas në aktin normativ u fol për shtyrje. Nuk mund të ndërhyjë qeveria të bëjë shtyrje nuk mund të marrë dot qeveria një akt ligjor të tillë”, tha ai.
Tomorri tha se e vetmja gjë që mund të bënte qeveria në një situatë të tillë është t’u kërkonte pronarëve të tregoheshin më solidarë apo të pranonin një riskedulim të pagesave.
Sa i takon deklaratës së kryeministrit për denoncimin e informalitetit, Tomorri tha se kjo thirrje nuk duhej bërë vetëm në këtë situatë.
“Është një detyrë që shteti duhet ta bëjë, duhet të luftojë informalitetin. Të gjitha kontratat e qirave duhet të jenë brenda ligjeve. Ashtu si çdo e ardhur taksohet, shteti duhet të luftojë informalitetin”, tha ai.
Ndërsa në lidhje me faljen e qirave të banesave sociale për muajt mars-prill, nga ana e Bashkisë së Tiranës, Tomorri tha se më shumë sesa lehtësim, ky është një gjest simbolik.
“Unë nuk e di sa të ardhura mbledh Bashkia e Tiranës nga pagesat e qerave sociale, por besoj se është një shumë e papërfillshme. Më shumë sesa lehtësim i familjeve, ky është një gjest simbolik me të cilin Bashkia do të thotë se ne po bëjmë një lehtësim dhe këtë shembull duhet ta ndjekin edhe privatët”, tha ai.



