Fabrika e re “Vorwerk” në Cacak, Serbi, ka prodhuar pjesët e para për makinat “Porsche”. Siç raporton B92, presidenti Aleksandar Vuçiç vizitoi sot fabrikën gjermane ku prodhohen pjesë për makinat luksoze edhe të markave të tjera.
"Nuk ka Porsche pa Cacak, kur të shihni dikë që drejton një Porsche, ta dini se do të ishte e pamundur sikur të mos ishte për Cacak dhe punëtorët në Cacak ... Porsche 'made in Cacak", shtoi Vuçiç me shaka.
"Sot është një ditë e shkëlqyer, një ditë që bën ndryshimin për ata njerëz që kanë investuar në këtë. Për Serbinë perëndimore, kjo është me rëndësi thelbësore", theksoi ai.
Serbia u kishte premtuar investitorëve gjermanë ndërtimin e një autostrade para se fabrika të niste punën dhe një e tillë është ndërtuar, pavarësisht skepticizmit të gjermanëve në fillim.
Fabrika ka punësuar fillimisht 186 njerëz dhe pritet të punësojë më shumë se 1 000 në total.
Vuçiç thotë se Vorëerk nuk u vendos në Serbi për pesë apo dhjetë vjet. "Ata erdhën këtu për të qëndruar për dekada, për të punuar, për të marrë fitime, për të përmirësuar biznesin e tyre", tha Vuçiç.
"Unë nuk shoh vend më të mirë për të investuar sesa Serbia", tha ai.
Fabrika është një investim prej 43 milionë eurosh (47 milionë dollarë) dhe prodhon pjesë për makinat Audi, BMW, Mini, Volkswagen dhe Porsche.



