
GJKKO ka pranuar kërkesën e Fredi Belerit dhe i ka kërkuar SPAK të regjistrojë procedim penal dhe të vijojë kryerjen e veprimeve hetimore ndaj ish-ministres së Jashtme Olta Xhaçka dhe bashkëshortit të saj Artan Gaçe.
Gazetari Arsen Rusta tha përmes një lidhje të drejtpërdrejtë me MCN Live se kanë qenë dy elementë ku gjykata është bazuar dhe ka kërkuar nga SPAK që të regjistrojë hetimin penal për ish-ministren Xhaçka dhe bashkëshortin e saj.
Gjykata ka argumentuar se prokuroria ka gabuar dhe do duhet t’i hetojë ata jo vetëm për faktin se kanë pasur një regjim martesor në momentin e fitimit të statusit të investitorit strategjik, por nga ana tjetër Xhaçka ka qenë ministre e kabinetit Rama dhe Gaçi ka qenë ish-deputet i PS. Po ashtu thotë gjykata se deklaratat dhe intervistat e dhëna nga Xhaçka kanë pranuar faktin e krijimit në mënyrë fiktive të një kompanie me aksioner kunatën për të fshehur konfliktin e interesit që e ndalon ligji. Këta dy elementë tashmë janë të panegociueshëm sipas gjykatës dhe do duhet që menjëherë prokuroria të regjistrojë hetimin penal pas kallëzimit të Belerit.



