
Një javë me mot të kthjellët dhe temperatura relativisht të larta parashikon IGJEUM për ditët në vijim.
Meteorologia Anira Gjoni, në një prononcim për “MCN Live”, thekson se kushtet e mira atmosferike do të vijojnë deri në fundjavë, ndërsa ndryshimet e para të motit priten të martën e javës së ardhshme, të shoqëruara me reshje të dobëta shiu.
Gjatë kësaj jave, moti do të jetë i qëndrueshëm, me temperatura relativisht të larta për këtë periudhë. Nga mesdita e sotme dhe deri në fundjavë priten kthjellime dhe vranësira të lehta, por pa reshje.
Nga e marta dhe e mërkura e javës tjetër, priten reshje të dobëta të shiut.
Të enjten dhe të premten pritet një rënie e lehtë e temperaturave në zonat malore në veri, ku temperaturat minimale mund të zbresin deri në 0°C.
Në zonat e ulëta, temperaturat minimale do të jenë rreth 6°C, ndërsa në zonat bregdetare rreth 9°C.
Sa i përket temperaturave maksimale, ato do të mbeten të larta, duke kaluar mbi 20°C, ndërsa ditën e shtunë pritet të arrijnë deri në 24°C.



