Partia Demokratike protestoi sot në hyrje të Portit të Durrësit kundër mbetjeve të dyshuara toksike që pritet të kthehen në Shqipëri.
Deputeti demokrat Oerd Bylykbashi në fjalën e mbajtur e konsideroi e konsideroi çështjen një aferë jo thjesht korruptive, por kriminale.
“Kjo protestë është mbi të gjitha një protestë qytetare. Para se të jem deputet i Durrësit, jam qytetar si të gjithë ju, i cili rrezikohet njësoj si çdo qytetar tjetër i Durrësit. Ky është rrezik për gjithë Shqipërinë, sepse askush s’di se çfarë po ndodh me këto mbetje toksike që do të helmojnë jetën e qytetarëve, të fëmijëve tanë. Ky është një skandal që duhet të shqetësojë do familjar, prind për shëndetin e fëmijëve. Këto helme rrezikojnë drejtpërdrejt jetën e secilit. Nuk është thjesht aferë korruptive, është kriminale”.
Pjesë e protestës ishte edhe ambientalisti Sazan Guri, i cili në fjalën e mbajtur tha:
“Nuk ju falet që të rrini në kafe! Para se të jeni një zë politik, jeni zëri i një prindi, kryefamiljari, që keni për detyrë të protestoni ndaj kësaj mbetje plehrë që s’u pranua në vendet e tjera, dhe është bërë Shqipëria si kosh i tyre”.
Mësohet se mbetjet pritet të hyjnë nesër në mëngjes në Portin e Durrësit, kësisoj pritet që protesta të vijojë ditën e hënë.



