Numri i qytetarëve nga Kosova që kanë kaluar pushimet në Shqipëri këtë vit është tepër i madh, ndërkohë që ky numër parashikohet të jetë në rritje edhe përgjatë shtatorit dhe tetorit.
Kështu bën me dije në një bisedë për TvT, Ruzhdi Kurtishaj, kryetar i Kuvendit të Odës ekonomike të Kosovës, njëkohësisht kryetar i Shoqatës së Transportit në Kosovë.
Një ndër arsyet se pse ka një numër kaq të madh pushuesish nga Kosova është edhe fakti se destinacioni i vetëm i qytetarëve të Kosovës mbetet Shqipëria. Megjithatë, Kurtishaj pohon, se kërkesat dhe rekomandimet e klientëve janë, që vitin e ardhshëm të mos udhëtohet drejt Turqisë, por drejt Shqipërisë.
Në Kosovë llogaritet të jetë shkaktuar një dëm prej mbi 500 milion euro për shkak të penalizimit që iu bë diasporës nga Zvicra dhe Gjermania, të cilët nuk mund të vizitonin Kosovën për shkak të pandemisë.
Kurtishi thekson se është e domosdoshme që mes Shqipërisë dhe Kosovës të ketë një unitet më të plotë në prag të ngarkesës së dytë të lëvizjeve të shtatorit dhe tetorit. Ai u bën thirrje qytetarëve të Shqipërisë, që gjatë shtatorit të pushojnë në Bjeshkët e Kosovës, në Përvallë, Prizren, Bogë apo Rugovë.



