Ish-zëvendësdrejtori në DPT Flobens Dilaveri, duke folur në “Mcn Economy” mbi legalizimin e basteve online, tha se qeveria ka reflektuar vetëm në drejtim të rihapjes, por s’ka nxjerrë mësime dhe përgjegjësitë e asaj që ndodhi. Dilaveri është kritik për kriteret e vendosura, si ai që operatori të ketë pasur aktivitet në tre shtete të BE-së, apo fakti që kërkohet bilanci i fundit dhe xhiroja e kompanisë. Kjo sipas Silaverit përjashton operatorët shqiptare të tregut, që nuk kanë bilanc të vitit të fundit për shkak të mbylljes së Lojërave të Fatit. Dilaveri thotë se të ardhurat nga lojërat e fatit para mbylljeve të basteve sportive kanë qenë 50-55 milionë euro në vit, ku 50 për qind kanë qenë të ardhura nga bastet sportive.
Erdhëm në një situatë që e kishim paralajmëruar që në momentin kur qeveria vendosi të mbyllte bastet në mënyrë arbitrare, të pashpjegueshme dhe deri dikur edhe të pa sens. Paralajmëruam që do vijë dita që do rikthehemi në domosdoshmërinë e hapjes së basteve sepse asnjë ditë s’ka për t’u ndalur ky aktivitet. Është e pafalshme që të ardhurat të kanalizohen atje ku askush s’i dëshiron, në vend se në buxhetin e shtetit. Qeveria ka reflektuar vetëm në drejtimin e rihapjes, por s’ka nxjerrë asnjë mësim, nuk ka nxjerrë përgjegjësitë e asaj që ndodhi. Mësimi i parë është kur vendimet i merr në mënyrë arbitrare dhe fillojnë nga lart-poshtë, kur nuk dëgjon specialistet, kur nuk sheh relacionet, kur nuk sheh të ardhurat e buxhetit të shtetit. E ka pranuar nga kryeministri deri te i fundit, që në këtë periudhë nuk ishim të zotë të ndalonim këtë hemorragji, këtë aktivitet të paligjshëm, deri edhe kriminal sipas thënieve të kryeministrit, por që për mua s’ka rezultuar kështu. Kush ishin fajtorët, përgjegjësit, kush është administrata që duhet ta mbulonte, duke filluar nga Krimi Ekonomik, Lojërat e Fatit, Pastrimi i Parave e të tjera me radhë. Të gjitha këto dolën inekzistente. Sot ne pranojmë fajin, kthehemi në pikën zero, dhe askush nuk del fajtor. Humbëm kohë, nuk nxorëm as mësime, nuk nxorëm as përgjegjësi.
Një nga operatorët duhet të ketë tre vite aktivitet tre shtete të BE, për mua është non sens. Sepse unë mund të kem tre vjet në Francë, ti më thua që duhet të kesh bërë të njëjtin aktivitet në Bullgari dhe Romani. Është kriteri i dytë, ai kërkon një kompani që në bilancin e fundit ushtrimor të ketë një të ardhur dhe xhiro të caktuar, kjo nënkupton përjashtimin apriori të të gjithë operatorëve të këtij tregu, të cilët për shkak të vendimit që mori Parlamenti dhe qeveria për ndërprerjen e Lojërave të Fatit, nuk e kanë bilancin e vitit të fundit. Ti këta i ke përjashtuar automatikisht. Ne kemi operatorë që nga 2000-shi operojnë në këtë treg. Kanë 15 vjet që e kanë kryer këtë aktivitet, dhe janë shumë më të gatshëm dhe më të aftë se sa një kompani që do vijë nga Franca, Gjermania, që nuk e di fare si funksionon nga pikëpamja psikologjike lojtari shqiptar. Kompania e huaj është dhënë që të shkojë licenca, favori, në grupe të caktuara apo kompani të caktuara.
Klauzolat që duam t’i vëmë lojtarit na dëmtojnë tregun. Nga momenti që i kërkon numrin e ID, të llogarisë, e ke trembur, kështu që ai do shkojë të luajë ose jashtë Shqipërie, ose në të zezë në Shqipëri. Kompanitë që kanë ushtruar këtë aktivet, për shkak të kërkesës ligjore që të mos kishin aktivitet, nuk kanë më bilanc. Ligji synon që t’ia japë një kompanie që merret me kazino, ose një biznes tjetër. Ata që merren me baste sportive janë përjashtuar. Mundësia që tregu i zi të zhduket është zero, sepse nuk ndodh as në vende të zhvilluara. Por nëse do tregohemi smart, nëse do merren parasysh vërejtjet e grupeve të interesit, nëse do implementohet edhe psikologjia e lojtarit shqiptarë, do bëhet diçka në interes të buxhetit të shtetit dhe zhvillimit të organizuar të këtij aktiviteti. Të ardhurat nga lojërat e fatit në buxhet para se të mbyllej aktiviteti ka qenë diku te 50-55 milionë euro në vit, ku 50 për qind kanë qenë të ardhura nga bastet sportive. Ato para kanë shkuar në kanale të zeza, por në buxhetin e shtetit nuk vajtën. Është një nga përgjegjësitë e para që ne duhet t’ia vëmë kujtdo që vendosi të kalohet nga struktura ekzistuese. Do kthehemi në të njëjtat kushte nëse nuk do nxjerrim mësime, nëse do vazhdojmë me atë Njësinë e Mbikëqyrjes së Lojërave të Fatit”



