Rihapet gara ndërkombëtare për ndërtimin dhe operimin e aeroportit ndërkombëtar të Vlorës.
Në një deklaratë për mediat, ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, njoftoi rihapjen e garës, e cila u ndërpre për shkak të pandemisë Covid-19.
Afati për dorëzimin e ofertave nga ana e kompanive është deri në datën 23 dhjetor, ndërsa më pas do të bëhet vlerësimi i ofertave, që do të paraqiten.
Kompania fituese shpallet në mes janarit 2021.
“Ky lajm është i mirë jo vetëm për qytetarët e Vlorës, por për të gjithë shqiptarët kudo që ndodhen në botë”, tha ajo.
Ndërtimi i aeroportit të Vlorës, është lajmëruar që në verë të vitit 2018, ndërsa në dhjetor të vitit të kaluar kryeministri prezantoi projektin, duke paralajmëruar nisjen nga puna në pranverë të 2020.
Por projekti u shty, për shkak të pandemisë, sikurse deklaroi ministrja këtë të hënë. Sipas projektit, pista do të jetë 3.2 km e gjatë dhe 60 metra e gjerë, ndërsa është deklaruar se me ndërtimin e këti aeroporti, do të normalizohen çmimet e transportit ajror, të cilat në Shqipëri janë më të shtrenjtat në rajon.



