
Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Bajram Begaj, priti sot Kryetarin e Parlamentit të Kroacisë, Gordan Jandroković, në një takim ku u diskutuan marrëdhëniet dypalëshe, integrimi evropian dhe zhvillimet në Ballkanin Perëndimor.
Gjatë takimit, Presidenti Begaj vlerësoi partneritetin strategjik dhe marrëdhëniet shumë të mira mes Shqipërisë dhe Kroacisë, të cilat, sipas tij, mbështeten në prioritetet e përbashkëta të politikës së jashtme dhe vizionin e njëjtë për të ardhmen e rajonit.
“Një rol të rëndësishëm në forcimin e këtyre marrëdhënieve ka luajtur edhe bashkëpunimi ndërparlamentar mes dy vendeve”, theksoi Kreu i Shtetit.
Begaj vlerësoi gjithashtu mbështetjen e vazhdueshme të Kroacisë për procesin e integrimit evropian të Shqipërisë, si në aspektin politik ashtu edhe në atë teknik, përmes ndarjes së përvojës dhe ekspertizës së saj gjatë rrugëtimit drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian.
“Rruga juaj drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian vazhdon të na frymëzojë, duke treguar se reformat e vendosura, të udhëhequra nga një vizion i qartë evropian, sjellin rezultate të prekshme për qytetarët dhe të gjithë rajonin”, u shpreh Presidenti Begaj.
Kreu i Shtetit nënvizoi se Shqipëria mbetet e përkushtuar për të përmbushur objektivin e anëtarësimit të plotë në Bashkimin Evropian, duke theksuar se vendi ka hyrë në një fazë vendimtare të procesit.
“Ndërsa Shqipëria ka hyrë në një fazë të re dhe vendimtare, fokusi do të jetë në mbylljen e kapitujve dhe finalizimin e negociatave”, deklaroi ai.
Begaj theksoi gjithashtu rëndësinë e bashkëpunimit rajonal dhe marrëdhënieve të mira fqinjësore për stabilitetin dhe zhvillimin e Ballkanit Perëndimor.
“Fqinjësia e mirë dhe fryma bashkëpunuese, me sytë nga e ardhmja, janë thelbësore për një rajon të sigurt dhe të begatë”, tha Presidenti.
Në këtë kuadër, ai vlerësoi edhe mbështetjen e Kroacisë për integrimin e plotë të Kosovës në strukturat rajonale dhe euroatlantike.



