
Presidenti Ilir Meta ka përshendetur finalizimin e marrëveshjes për krijimin e qeverisë së re në Maqedoninë e Veriut, e cila do të udhëhiqet nga një kryeministër shqiptar për tre muaj.
Nëpërmet një postimi në Facebook, kreu i shtetit thekson se ky vendim është një hap pozitiv për forcimin e institucioneve demokratike dhe përparimin e reformave.
Ndërkohë, ai iu bën thirrje palëve politike që të marrin shembull nga Maqedonia e Veriut dhe të respektojnë marrëveshjen e 5 Qershorit.
“Finalizimi i marrëveshjes për formimin e Qeverisë së re në Maqedoninë e Veriut është një tjetër hap pozitiv për forcimin e institucioneve demokratike dhe përparimin e reformave. Rritja e përfaqësimit të faktorit shqiptar në qeverisje, përfshirë dhe mundësinë e Kryeministrit shqiptar në të ardhmen, është tregues europianizues dhe vitalizues për forcimin e bashkëjetesës. Pas zgjedhjeve demokratike dhe konkurruese, fqinji ynë ecën me siguri të merituar për çeljen e negociatave me Bashkimin Europian. Duhet të mësojmë prej tyre dhe të kthehemi në shina sa më parë, duke nisur me respektimin e Marrëveshjes së 5 qershorit dhe plotësimin e gjithë kushteve të tjera.”, shprehet Meta.



