
Një operacion i policisë së Vlorës i koduar “Local” ka vënë në pranga dy persona, të cilët bashkëpunonin për shitjen e lëndëve narkotike, në doza.
Specialistët e Seksionit për Hetimin e Narkotikëve, në vijim të punës për goditjen e paligjshmërisë, bazuar në informacionet e marra në rrugë operative se dy shtetas shpërndanin lëndë narkotike, në qytetin e Vlorës, kanë organizuar dhe finalizuar operacionin për lokalizimin dhe kapjen e të dyshuarve.
Si rezultat i këtij operacioni u arrestuan në flagrancë Arben Alili, 58 vjeç dhe Vesjan Veliraj, 27 vjeç, të dy banues në Vlorë.
Gjatë kontrollit në banesën e shtetasit Arben Alili, në lagjen “1 Maji”, shërbimet e policisë gjetën dhe sekuestruan 52 doza me lëndë të dyshuar narkotike kokainë dhe 90 doza me lëndë të dyshuar narkotike kanabis.
Gjithashtu, në cilësinë e provës materiale u gjetën dhe u sekuestruan një peshore elektronike, 3 aparate celulare dhe një shumë parash e dyshuar e përfituar nga kjo veprimtari kriminale.
Nga veprimet hetimore ka rezultuar se shtetasi Arben Alili bashkëpunonte me shtetasin Vesjan Veliraj, për shpërndarjen e dozave të kokainës dhe të kanabisit, në zona të ndryshme të Vlorës.
Ndaj të dyshuarve materialet i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme procedurale.



