
Amazon ka investuar miliarda dollarë për të zgjeruar programin e saj të dorëzimit falas brenda ditës të artikujve të shitur. Në tremujorin e tretë, fitimi i saj neto ka rënë me 26% në krahasim me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, një rënie që nuk pritej. Parashikimet e shitjeve për sezonin gjithashtu po i zhgënjejnë analistët. Menjëherë pasi u publikua kjo shifër, aksionet e miliarderit Jeff Bezos ranë me mbi 9%. Kjo e zbret Bezos nga froni i më të pasurit në botë, duke ia rikthyer atë themeluesit të Microsoft-it, Bill Gates.
Për të ulur kohën e dorëzimit të mallrave të saj nga dy ditë, në një ditë, Amazon ka punësuar 100 000 njerëz gjatë kësaj periudhe dhe e ka zgjeruar rrjetin e saj logjistik, me më shumë kamionë dhe aeroplanë. Këto i kanë kushtuar rreth 1.5 miliardë, dy herë më shumë sesa pritej. Por kompania e tregtisë online thotë se ofrimi njëditor do të tërheqë më shumë klientë dhe do t'i shtyjë ata të shpenzojnë më shumë.
Në tremujorin që përfundon më 30 shtator, Amazon raportoi fitime neto prej 2.1 miliardë eurosh, duke rënë ndjeshëm nga 2.9 miliardë euro në të njëjtën periudhë të një viti më parë. Fitimet për aksion bien në 4.23 dollarë, 36% më pak sesa vlerësohet nga analistët në panelin FactSet. Për fitimet, ky është rezultati më i keq në dy vjet.
Në fund të shtatorit, numri i të punësuarve nga Amazon arriti në 750 000 njerëz në mbarë botën. Ai është punëdhënësi i dytë më i madh privat në Shtetet e Bashkuara, pas WalMart.
Analistët nuk janë shumë optimistë edhe për tremujorin e katërt, i cili përfshin blerjet e Krishtlindjes, me të ardhura në një segment mes midis 80 dhe 86.5 miliardë dollarë: nën objektivin prej 87.4 miliardë dollarësh.



