Presidenti kinez Xi Jinping ka thyer sot heshtjen mbi konfliktin Izrael-Iran, ndërkohë që një reagim i ri ka ardhur edhe nga Rusia.
Pekini është “thellësisht i shqetësuar” për tensionet në rritje në Lindjen e Mesme të krijuara nga sulmet ushtarake të Izraelit, raportoi agjencia zyrtare e lajmeve Xinhua e Kinës, duke cituar komentet e Xi gjatë një takimi me presidentin uzbek Shavkat Mirziyoyev në Samitin Kinë-Azi Qendrore në Astana të Kazakistanit.
“Ne kundërshtojmë çdo akt që cenon sovranitetin, sigurinë dhe integritetin territorial të vendeve të tjera”, shprehet Xi Jinping. Po ashtu ai vë në dukje se përshkallëzimi “nuk është në interesin e përbashkët të bashkësisë ndërkombëtare”.
Udhëheqësi kinez përsëriti thirrjen e tij për uljen e tensioneve dhe tha se Pekini është gati të “luajë një rol konstruktiv” në rivendosjen e stabilitetit në Lindjen e Mesme.
Këto ishin komentet e para publike të Xi-së mbi konfliktin. Të hënën, ambasada kineze në Iran i këshilloi shtetasit kinezë të largoheshin nga vendi sa më shpejt të ishte e mundur, duke përcaktuar katër pika kufitare, me Turqinë, Armeninë, Azerbajxhanin dhe Turkmenistanin - si rrugë prioritare.
Reagimi i Rusisë
Zëvendësministri i Jashtëm i Rusisë, Sergei Ryabkov, i bëri thirrje SHBA-ve që të mos e sulmojnë Iranin dhe të mos japin asistencë të drejtpëdrejtë ushtarake për Izraelin sepse kjo do të destabilizonte rrënjësisht Lindjen e Mesme. Moska tha se sulmet izraelite rrezikojnë të shkaktojnë një katastrofë bërthamore.
“Ky do të ishte një hap që do ta destabilizonte rrënjësisht të gjithë situatën”, citon Interfax të ketë thënë Ryabkov.
Rusia nënshkroi një partneritet strategjik me Iranin në janar dhe gjithashtu ka një marrëdhënie me Izraelin, megjithëse e tendosur nga lufta e Moskës në Ukrainë. Një ofertë ruse për të ndërmjetësuar në konfliktin Izrael-Iran nuk është pranuar.



