
Një ngjarje tragjike ka ndodhur në orët e para të mëngjesit në një banesë në Maliq, ku si pasojë e një zjarri të përmasave të mëdha, kanë humbur jetën një nënë 40-vjeçare dhe djali i saj 14-vjeçar. Vajza e vogël, vetëm 6 vjeçe, ndodhet në gjendje kritike në Qendrën Spitalore Universitare në Tiranë.
Sipas raportimit të korrespondentes së “MCN Live” nga Korça, Elsa Xhindole, zjarri dyshohet të ketë ardhur nga soba me dru, e ndezur në kuzhinën e shtëpisë.
Flakët dyshohet të kenë përfshirë një dyshek sfungjeri, duke shkaktuar përhapje të shpejtë të zjarrit në banesë.
Sipas shefit të zjarrfikëses në Maliq, Sadik Halili, me të cilin kam komunikuar, gjatë hetimeve paraprake janë gjetur pranë sobës disa fije shkrepëse, që ngre dyshime se fëmijët mund të kenë luajtur me zjarrin, duke shkaktuar pa dashje tragjedinë.
Brenda në kuzhinë ka qenë soba me dru e ndezur. Janë gjetur fije shkrepëse pranë saj. Është e mundur që fëmijët të kenë luajtur dhe të kenë shkaktuar pa dashje zjarrin, i cili mund të ketë përfshirë fillimisht dyshekun.
Të afërm dhe fqinjë të familjes thanë për “MCN Live” se kanë parë tym të dendur dhe flakë që dilnin nga banesa, dhe menjëherë kanë njoftuar shërbimin zjarrfikës. Zjarrfikësja ka mbërritur në vendngjarje brenda pak minutash.
Kur kanë hyrë në shtëpi, zjarrfikësit kanë gjetur nënën të pajetë në derën e kuzhinës, ndërsa djali 14-vjeçar nuk reagonte për shkak të asfiksisë. Vajza 6-vjeçare ishte ende e vetëdijshme, por me djegie të shumta në trup dhe flokët e djegur. Ajo është transportuar me urgjencë drejt Tiranës, ku po merr trajtim intensiv.
Ndërkohë, komuniteti lokal është tronditur nga kjo humbje e rëndë. Bashkia Maliq ka njoftuar se do të mbulojë shpenzimet e varrimit, që do të zhvillohet në orën 15:00 të ditës së sotme.
Gjithashtu, është hapur një faqe GoFundMe për të ndihmuar babain dhe vajzën e mbetur në kushte të rënda ekonomike.
Autoritetet po vijojnë hetimet për të zbardhur plotësisht shkaqet e zjarrit.



