Marshimi drejt Rinasit/ Rama: Ekstremizmi po zëvendëson kauzën, PS do të dalë më e fortë nga protesta

Marshimi drejt Rinasit/ Rama: Ekstremizmi po zëvendëson kauzën, PS do të dalë më e fortë nga protesta

Kryeministri Edi Rama ka reaguar ndaj protestës që vijon prej dy javësh kundër projektit të zhvillimit në Zvërnec, ndërsa natën e kaluar protestuesit marshuan nga Tirana drejt aeroportit të Rinasit, duke bllokuar për disa orë qarkullimin në aksin kryesor rrugor.

 

Kryeministri deklaroi se protesta tashmë ka humbur lidhjen me çështjen fillestare që e nxiti atë. 

 

Sipas tij, i gjithë dokumentacioni i procesit dhe qasja e ndjekur nga qeveria dëshmojnë se institucionet kanë vepruar në përputhje me interesin publik.

 

Rama argumenton se veprimet e protestuesve po ndikojnë negativisht në imazhin e Shqipërisë, veçanërisht në prag dhe gjatë sezonit turistik. 

 

Ai thotë se po krijohet një perceptim i pavërtetë për vendin si një destinacion jomiqësor ndaj mjedisit, duke sjellë pasoja konkrete për sektorin e turizmit.

 

Sipas kreut të qeverisë, anulimet e rezervimeve në hotele dhe bllokimet e vazhdueshme të rrugëve janë sinjale shqetësuese për ecurinë ekonomike të sezonit veror.

 

Duke iu referuar marshimit drejt Rinasit, Rama e cilësoi të papranueshme bllokimin e rrugës së aeroportit, duke theksuar se mijëra qytetarëve iu kufizua lëvizja e lirë. 

 

Ai shtoi se protesta po shfaq elementë të asaj që e quajti “ekstremizëm”, duke e lidhur atë me fenomenet e bullizimit online dhe ndërprerjen e jetës normale të shumicës së qytetarëve.

 

Megjithatë, kryeministri pranoi se ekziston një pjesë e protestës që ngre shqetësime legjitime. Ai deklaroi se qeveria do të nxjerrë mësimet e nevojshme nga kjo pjesë e protestuesve dhe do të adresojë shqetësimet e tyre në mënyrën e duhur.

 

Në fund të reagimit të tij, Rama tha se përfituesit e vetëm politikë nga kjo situatë do të jenë qeveria dhe Partia Socialiste. Sipas tij, pas qartësimit të debatit publik, PS do të shfaqet më e fortë në qendër të skenës politike shqiptare, ndërsa kundërshtarët e saj do të mbeten të zhgënjyer nga rezultati.

 

Protestuesit janë të lirë të protestojnë paqësisht për çfarë të duan, si të duan e deri kur të duan, por pa dashur t’ju bëj moral nuk kam se si mos t’u them:

 

1. Kjo protestë nuk ka më asnjë lidhje me Sazanin a me Zvërnecin, sepse i gjithë dokumentacioni i procesit dhe e gjithë qasja e dokumentuar qeverisë, tregojnë qartë që qeveria është në lartësinë e interesit publik e të standardeve dhe praktikave më të mira ndërkombëtare.

 

2. Kjo protestë po godet imazhin e Shqipërisë dhe sezonin turistik, duke ushqyer perceptimin negativ e të pavërtetë të një vendi jomiqësor ndaj mjedisit, jomikpritës për investimet e huaja dhe te pasigurtë për turistët. Anulimet e rezervimeve të hoteleve dhe bllokimet e rrugëve paralajmërojnë një sezon jo pozitiv ekonomikisht, për shumë e shumë familje e njerëz që kanë lidhje direkte apo indirekte me zinxhirin e vlerës së industrisë së turizmit. 

 

3. Kjo protestë që arrin e degradon në një turmë të drejtuar nga mendje të liga dhe duar të këqija drejt rrugës së aeroportit, duke bllokuar natën në rrugë mijëra njerëz në lëvizjen e tyre të lirë, ka brenda saj pikërisht atë të keqen e madhe të ekstremizmit që frymëzon bullizimin online dhe prishjen me pahir të ritmit të jetës së shumicës. 

 

4. Keqardhje për të rejat e të rinjtë e zhgënjyer nga marshimi qorrazi drejt Rinasit me shijen e lirisë e të pavarësisë së tyre dhe në emër të një revolucioni imagjinar, derisa e kuptuan edhe vetë se çfarë budallallëku kishin bërë duke i shkuar mbrapa skuthave të infiltruar nga forcat destruktive, brenda a jashtë, të cilat po bëjnë çmos për ta dëmtuar sa më shumë Shqipërinë. Uroj që të zgjohen sa më parë nga ky jerm dhe të shkëputen një orë e më parë nga mendjet e liga dhe duart e këqia që tanimë e kanë marrë në kontroll protestën. 

 

5. Kjo protestë ka ekzaltuar edhe shumë personazhe me një emër të dëgjuar në mexhelisin e jetës publike. Me mendjet e tyre të cekëta ata i janë bashkuar asaj me mënyra të ndryshme, në bulevard apo në kanalet sociale e mediatike, me idenë se deti u bë kos, qeveria po mbytet, një orë e re erdhi për lugët në brezat e tyre. 

 

Por nëse ka përfitues të vërtetë nga kjo protestë, ata janë vetëm dy: 

 

Qeveria Shqiptare, e cila do të nxjerrë patjetër mësimet që i duhen nga pjesa e çiltër e protestës, duke adresuar si duhet shqetësimet legjitime të asaj pjese dhe Partia Socialiste, e cila kur të shpërndahet mjegulla do t’i zhgënjejë rëndë të gjithë kundërshtarët e saj, duke u shfaqur më e madhe dhe më e fortë në qendër të skenës politike të Shqipërisë

MCN Radio logo
MCN Radio
103.1 FM
Drupal Ad
Drupal Ad
MCN Radio logo
MCN Radio
103.1 FM
Radio
Intro

MCN TV është një televizion gjeneralist, i cili përfshin emisione, seriale, filma, dokumentarë etj. Ky televizion ka në dispozicion të tij katër studio televizive të pajisura me teknologjinë bashkëkohore.

Kategoritë
Streaming

MCN TV

MCN Radio

Contact

info@mcn.tv.al

+355 422 00200

All rights reserved. MCN 2025

Terms and ConditionsPrivacy Policy