Një operacion i policisë së Gjirokastrës i koduar “Rent a car”, ka zbardhur vjedhjen me dhunë të parave dhe sendeve personale të 11 emigrantëve të paligjshëm, të cilët disa shtetas i morën për t’i transportuar me automjetet e tyre drejt Tiranës, kundrejt fitimit.
Specialistët e Seksionit për Hetimin e Trafiqeve të Paligjshme në DVP Gjirokastër, në bashkëpunim me Komisariatin e Policisë Gjirokastër, Komisariatin e Policisë Nr. 5 Kamzë dhe DVP Kukës, nën drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Gjirokastër, falë punës intensive dhe profesionale, finalizuan me sukses operacionin policor të koduar “RENT A CAR”.
Si rezultat i operacionit u bë i mundur ndalimi i shtetasve të shpallur në kërkim: Safet Myftaraj, 21 vjeç, Ndriçim Myftaraj, 21 vjeç, A. Th., 17 vjeç, Elda Shahini, 20 vjeçe, banues në Tiranë dhe Erlanda Brahaj, 26 vjeçe, banuese në Tropojë.
Për këtë ngjarje, në datën 22 maj, është arrestuar njëri prej autorëve të dyshuar, shtetasi A. O.
Të dyshuarit në bashkëpunim me njëri-tjetrin, në datën 22 maj, kanë marrë 11 emigrantë të paligjshëm, në aksin rrugor Gjirokastër-Virua, me qëllim transportimin e tyre drejt Tiranës, kundrejt fitimit dhe në afërsi të fshatit Mashkullorë, u kanë vjedhur me dhunë një shumë parash, 11 aparate celulare dhe sende të tjera personale që emigrantët e paligjshëm i kishin me vete.
Në datën 24 maj, në vendin e quajtur “Mbikalimi i Bardhocit”, Kukës, është bërë kapja dhe ndalimi i shtetasve Ndriçim Myftaraj dhe A. Th., të cilët po transportonin katër emigrantë të paligjshëm nga vendet MENA, në drejtim të Kosovës. Ndjekja e tyre nga shërbimet e Policisë u publikua më datë 24 maj, në rrjetet sociale, në një video ku shfaqej makina e Policisë duke qarkulluar në sens të kundërt, në Rrugën e Kombit, sepse ishte në ndjekje të automjetit që transportonte emigrantët.
A. Th., gjatë kontrollit fizik i është gjetur një përforcues grushti, dorezë metalike, që u sekuestrua në cilësinë e provës materiale.
Kapja e shtetasit të shpallur në kërkim Safet Myftaraj u bë në banesën e tij, në Kamzë, Tiranë, ku gjatë kontrollit janë gjetur dhe sekuestruar një pistoletë lodër metalike, 5 aparate celulare dhe një shumë parash.
Gjithashtu, shtetasja Erlanda Brahaj është kapur nga shërbimet e Policisë, në Kamzë, duke drejtuar automjetin tip “Hyunday”, në të cilin, gjatë kontrollit, u gjetën disa doza me lëndë të dyshuar narkotike cannabis sativa.
Në cilësinë e provës materiale janë sekuestruar një shumë parash, 3 automjete, 1 përforcues grushti, 1 pistoletë lodër metalike, doza me lëndë të dyshuar narkotike cannabis sativa dhe 9 aparate celulare.
Ndaj të dyshuarve materialet iu referuan Prokurorisë Gjirokastër për veprat penale “Vjedhja me dhunë” e kryer në bashkëpunim, “Ndihma për kalim të paligjshëm të kufirit”, “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve” dhe “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve të ftohta”.



