Ish-ministri i Jashtëm Paskal Milo tha në edicionin e lajmeve në MCN TV se vendosja e tarifave nga Trump do të kenë efekte negative duke çuar në një luftë të pashmangshme tregtare.
Milo vuri në dukje se luftërat tregtare janë preludi i krizave të rënda politike. Sipas tij nuk përjashtohen as tronditjet sociale në SHBA dhe Europë. Milo u shpreh se tarifat do rrisin çmimet e mallrave, dhe do ndikojnë drejtpërdrejtë në nivelin e jetesës së blerësve.
“Është një vendim tashmë i paralajmëruar që gjatë fushatës elektorale, por që me ardhjen e Trump në zyrën ovale, deklaratat morën formë vendimore në lidhje me tregtinë me vendet e tjera, duke përfshirë edhe Europën. Është debatuar gjatë këtyre ditëve për efektet, dhe mendimet janë kontradiktore, por shumica e ekspertëve janë të mendimit që këto tarifa të larta që po vendos Trump, do të sjellin një luftë tregtare të mirëfilltë dhe do ndikojnë negativisht jo vetëm në zhvillimin ekonomik të vendeve respektive, por do të krijojnë edhe probleme sociale.
Ekspertët shpjegojnë se do të ketë kundërmasa, dhe siç tha Von Der Leyen, edhe Europa po përpiqet të rrisë tarifat ndaj mallrave dhe shërbimeve në SHBA. Do ketë një luftë tregtare të pashmangshme, që ka edhe karakter politik jo vetëm ekonomik. Efekti i dytë, ndikimet do jenë negative sepse ato do çojnë automatikisht në rritjen e çmimeve të mallrave, që do ndikojë drejtpërdrejtë në nivelin e jetesës së blerësve, dhe do ketë efekte negative. Kjo do çojë në fërkime që do reflektohen në marrëdhëniet politike.
Sepse kur cenohet marrëdhënia ekonomike, baza e marrëdhënieve, patjetër që këto reflektohen. S’do jetë e largët dita kur do shikoni masa konkrete të europianëve. Do të ketë po të njëjta shifra të rritjes së tarifave, mendoj, nga europianët për Amerikën. Luftërat tregtare janë preludi i krizave të rënda politike. Mund të ketë edhe efekte të tjera që të shkaktojnë edhe tronditje sociale, nuk përjashtohen, qoftë në SHBA dhe Europë.
Rrezikojnë të minojnë sistemin e tregtisë ndërkombëtare, që nëse transferohet në fushën politike, do sillte pasoja të rënda për marrëdhëniet ndër-atlantike dhe destablitet, sepse cenohen interesat themelore ekonomike tregtare”.
Sipas tij në Shqipëri do ketë efekte, por nuk do ketë efekte tronditëse si në ekonomitë e mëdha botërore.



