
Emisioni “Fol” i gazetarit Erjon Skëndaj u ndal sot në fshatin Lekaj të Kavajës, i cili ndonëse është buzë rrugës kryesore po zbrazet nga banorët.
Dy lagjet më të mëdha të fshatit Dedaj dhe Ukaj janë pa rrugë, çka është edhe shqetësimi kryesor i banorëve.
Diku është vendosur pak zift nga kompanitë që shfrytëzojnë guroren, ndërsa shteti nuk ekziston.
Duke folur për MCN TV njëri prej banorëve thotë se “nuk vë dorë njeri në rrugë. Fushat në anën tjetër janë pa mbjellë dhe nuk ka mbikalim të shkojmë tek tokat tona. Kemi mbetur mosha e tretë. Vuajmë për çdo gjë, ku të shkojmë, ku të mbytemi?! Kush vjen në komunë shikon interesat e veta. Duhet t’i vijmë vërdallë fshatit të shkojmë te tokat tona. Gosa i ka të gjitha rrugët asfalt. Në Lekaj as rrugë, e as gjë prej gjëje”.
Banorët vënë në dukje se “në lagjen Dedej duhet nënkalim ose mbikalim”, duke shtuar se “po na vriten njerëzit për një nënkalim”. Ata shtojnë se “te rruga e Dedejve edhe i vdekur ‘ngjallet’”, duke theksuar gjendjen e keqe të aksit.



