Politologu Ilir Kalemaj e konsideroi protestën e sotme të organizuar nga opozita para Kryeministrisë si të masive, të organizuar mirë, dhe që kishte kauzën e duhur. Duke folur në edicionin e lajmeve në MCN TV Kalemaj tha:
“Ndryshe nga protestat e tjera që kanë pasur edhe bumerangun e tyre, për shkak të bllokimit të arterieve kryesore rrugore, kjo protestë ishte klasike, e thirrur nga partitë opozitare me në krye PD-në. Mendoj që është një protestë e organizuar shumë mirë, ishte e para masive, e dyta e organizuar brenda një ore, duke mos lejuar ekseset që shoqërojnë protestat në përgjithësi, e dyta natyrisht paqësore, e treta ishin të organizuara fjalimet. Folën tre aleatët kryesor Mediu, Duka dhe Meta dhe z.Berisha më pas rikujtoi që në 20 shkurt të vitit të kaluar ai kishte folur me video-mesazh nga arresti në shtëpi, dhe sot i lirë në shesh mundi t’i adresohej gjysmë orë turmës me mesazhet opozitare. A ishte kauza e duhur? Absolutisht që po. Në fund të ditës për çfarë dolën më 21 janar? A nuk dolën për atë videon? Pse në këtë rast qenka më pak e rëndësishme intervista e bashkëpunëtorit më të ngushtë të z.Rama? Atij që ishte zv.kryeministri i parë dhe ministri më jetgjatë në qeverinë Rama, që deklaroi me zë dhe figurë disa nga abuzimet. Përgjithësisht ishte një protestë, masive, paqësore, e organizuar mirë, zgjati aq sa duhej. Berisha menjëherë u largua drejt aeroportit, ku nesër do takojë diasporën shqiptare ne Romë”.
Kalemaj vuri në dukje se epitetet e Ramës për moshën e Berishës, nuk i bëjnë nder kryesocialistit dhe PS-së. Kalemaj veçon faktin që Rama nuk përdor më etiketimin “non grata” për Berishën.
“Paska ikur non grata, nuk përdoret më. Tani që pa që erërat kanë ndryshuar në Shtëpinë e Bardhë, ndoshta Rama kupton që mund t’i kthehet në bumerang. E para sepse me heqjen e non gratës mund të ndryshojë komplet ekuacioni dhe basti i tij, që mund t’i kthehet kundër, e dyta mund të përdoret nesër kundër z.Rama. E dyta po përdor epitetin tjetër që lidhet me moshën dhe që s’i bën nder as z.Rama, as PS”.



