
Volodymyr Zelensky akuzoi Moskën për mbjelljen e një urrejtjeje të thellë për Rusinë mes ukrainasve.
Në një fjalim të pasionuar me video të shtunën vonë, presidenti i Ukrainës paralajmëroi se ukrainasit nuk do të dëshirojnë më të flasin rusisht pasi kjo do të ishte "e lidhur me shpërthimet dhe vrasjet tuaja, krimet tuaja".
Ai gjithashtu theksoi se në Ukrainë nuk ka pasur asnjëherë problem me gjuhën ruse, duke shtuar: “Por tani ju, okupatorët rusë, po e krijoni këtë problem”.
Nga ana e saj Rusia vazhdon suilmet ndaj Ukrainës teksa ka lëshuar raketa lundrimi me precizion të lartë nga deti për të goditur objektivat ushtarake në Lviv.
Të shtunën, raketat me rreze të gjatë shkatërruan një fabrikë riparimi radio dhe një depo karburanti në qytet, sipas agjencisë ruse të lajmeve RIA duke cituar Kremlinin. Pranë Kievit, një njësi e ruajtjes së raketave ishte gjithashtu në shënjestër.
Autoritetet në Lviv kishin raportuar se "tre shpërthime të fuqishme" u panë në rajon dhe videot e shpërndara në mediat sociale tregojnë një numër raketash që fluturojnë nëpër qiell.
Lviv, në Ukrainën perëndimore, konsiderohej të ishte një vend më i sigurt për ukrainasit pasi ishte më larg nga pushtuesit rusë dhe afër kufirit me Poloninë, ku shumica e miliona refugjatëve u larguan.
Ndërsa, gjatë pjesës së fundit të udhëtimit të tij katër-ditor në Evropë, Joe Biden tha se Vladimir Putin "nuk mund të qëndrojë në pushtet" dhe e quajti atë një "kasap" për gjakun e derdhur gjatë pushtimit të tij në Ukrainë.
Në një udhëtim në Poloni për të takuar ministrat dhe refugjatët ukrainas, presidenti amerikan tha se bota "do të ketë një të ardhme më të ndritshme" pa Putinin në Kremlin. Shtëpia e Bardhë mohoi se ai po bënte thirrje për ndryshim regjimi.



