Festimet e tifozëve francezë pas fitores së Paris Saint-Germain në finalen e Ligës së Kampionëve kundër Interit në Mynih u shndërruan në tragjedi. Siç konfirmohet nga Le Figaro, në Dax, në departamentin e Landes, një 17-vjeçar u godit me thikë për vdekje gjatë festimeve që pasuan fitoren. Shkaku i sulmit është ende i panjohur.
Ndërkohë, numri i personave të arrestuar për incidentet që ndodhën gjatë festimeve është rritur në 294, ndërsa në Grenoble një makinë u përplas me një turmë që festonte fitoren, duke plagosur katër persona nga e njëjta familje, dy gra të moshës 46 dhe 23 vjeç dhe dy 17-vjeçarë.
Gjendja e dy prej të plagosurve përshkruhet si e rëndë. Paraprakisht dyshohet se nuk ishte një akt i qëllimshëm, por shoferi i cili u paraqit spontanisht te autoritetet humbi kontrollin e mjetit.
Në Nantes, një autobus i transportit publik Naolib u vandalizua nga grupe të dyshuara si tifozësh, ndërsa në Paris shpërthyen incidente në zona të ndryshme të qytetit, me makina të djegura dhe dyqane të sulmuara.
Ministri i Brendshëm Bruno Retailleau u bëri thirrje forcave të rendit të ndërmarrin veprime “energjike” kundër kujtdo që mori pjesë në trazira, duke i quajtur ato “barbare”.
“Është e padurueshme që nuk është e mundur të festosh pa pasur frikë nga vandalizmi nga një pakicë ngacmuesish që nuk respektojnë asgjë”, shkroi ministri në X.



