
Teksa i afrohemi samitit të fundit të dhjetorit në Bruksel, ekspert të çështjeve të integrimit, forcojnë thirrjen për ndarje të Shqipërisë nga Maqedonia e Veriut.
Studiuesi Gjergji Vurmo nga Instituti për Demokraci dhe Ndërmjetësim thotë në një intervistë për MCN se BE duhet të respektojë parimin e meritokracisë dhe të mos penalizojë Tiranë, si pasojë e përplasjes mes Shkupit dhe Sofjes.
“Nëse konferenca e parë ndërqeveritare do të mbahet në fund të dhjetorit apo nga janari, pak rëndësi ka. E rëndësishme është të miratohet kuadri negociues dhe ky është indikatori kryesor që sinjalizon që do të mbahet konferenca e parë ndërqeveritare. Kjo mund të jetë mundësi për t’i ndarë të dy vendet sepse jo domosdoshmërish në qoftë se i mbetemi besnik, ose nëse BE i mbetet besnik parimit të meritokracisë në kuadër të procesit të integrimit nuk duhet ta ndalë shpejtësinë e integrimit të një vendi.”, tha Vurmo.
Megjithatë, Vurmo, beson, se rrugëtimi i vendeve te Ballkanit Perëndimor në rrugën integruese, po penalizohet edhe për shkak të politikave të brendshme të unionit.
“Për momentin kemi të bëjmë me një proces të zgjerimit ku për mendimin tim ka humbur besueshmërinë jo vetëm në syrin tonë por dhe vetë brenda BE. BE ka dhe prioritete të tjera, dhe zgjerimi nuk konsiderohet prioritet.”
Për studiuesin, konferenca e parë ndërqeveritare nuk duhet të jetë synimi më i rëndësishëm i Shqipërisë.
“Në gjykimin tim më e rëndësishme është konsolidimi demokracisë, shtetit ligjor, lufta kundër krimit, korrupsionit, zhvillimi ekonomik, punësimi. Këto janë sfida më të rëndësishme se sa një konferencë e parë ndërqeveritare. Sidomos nëse procesi i mbajtjes së negociatave është i njëjtë me procesin që kemi parë në Serbi”
Shumica qeverise ka dhënë sinjale se nuk pret datë për tryezën e negociatave brenda këtij viti, ndërsa për opozitën, Shqipëria nuk ka bërë përparim, për shkak të keqqeverisjes socialiste.



