Seanca e sotme parlamentare nisi me debate mes opozitës dhe maxhorancës. Kreu i PD-së, Lulzim Basha, kërkoi pjesëmarrjen e kryeministrit Rama në seancë, me argumentin se ai është personi përgjegjës për shtyrjen e hapjes së negociatave me BE-në.
“Është marrë një vendim për t’i shtyrë, për të shtyrë shqyrtimin e vendimmarrjes. Pengesa kryesore për hapjen e negociatave sot duhet të jetë këtu. Afërmendsh nuk mudn t’i kërkosh kryetarit të opozitës të marrë foltoren dhe të nisë debatin pa përgjegjësin numër një në sallë. Nëse zotëria po fshihet apo nuk i mbajnë leqet të vijë këtu, ndërprit seancën, të qetësohet, të marrë ato që merr dhe të vijë këtu të mbajë përgjegjësi. Nuk mundet ai t’i bëjë bisht këtij debati”, tha Basha.
Në emër të maxhorancës, kreu i grupit parlamentar socialist, Taulant Balla, tregoi arsyet e mungesës së Ramës në nisjen e seancës.
“Duhet të jemi korrekt me ata që na ndjekin kur i referohemi rregullores së kuvendit. E mirëpresim një debat me ju sot për vendimin histori të hapjes së negociatave. Jemi të gatshëm ta zhvillojmë atë. Por ju jeni të paimagjinueshëm. Ke kërkuar debat për raportin për dokumentet të ish-sigurimit. Je shumë i dobët përballë çdo beteje. Jemi të gatshëm që të zhvillojmë edhe debat për shpresën tënde që s’janë hapur negociata. Ty shyqyr që të kemi ne, por mjerë që të ka Shqipëria kryetar të opozitës. Është propozuar që të nis debati me ministrin Bushati me 20 minutat e tij dhe më pas Rama do të jetë këtu menjëherë, pasi nuk e ka bosh kohën si ky këtu. Në këtë moment është në një telefonatë me kryeministrin e Belgjikës”, tha Balla.



