Presidenti amerikan Joe Biden do të mbajë një takim trepalësh me liderët e Japonisë dhe Koresë së Jugut gjatë këtij muaj në Hiroshima, kur ai të udhëtojë në qytet për samitin e këtij viti të G-7, tha të hënën një zyrtar i lartë amerikan.
Zyrtari, i cili foli në kushte anonimiteti, nuk përmendi datën e takimit trepalësh.
Sipas burimeve diplomatike, takimi ka të ngjarë të mbahet më 21 maj, në ditën e mbylljes së samitit treditor të G-7, përpara se Biden të niset për në Australi nga qyteti japonez.
Biden dhe Presidenti i Koresë së Jugut, Yoon Suk Yeol ranë dakord javën e kaluar gjatë një samiti në Shtëpinë e Bardhë se do të rrisin bashkëpunimin trepalësh me Japoninë për t’u marrë më mirë me kërcënimin bërthamor të Koresë së Veriut.
Biden përshëndeti gjithashtu “guximin politik” të Yoon për të punuar me Kryeministrin japonez Fumio Kishida për të përmirësuar marrëdhëniet midis Seulit dhe Tokios pas shumë vitesh tensioni mbi çështjet historike.
Yoon, i cili vizitoi Tokion në mars, është ftuar nga Kishida si një nga të ftuarit për diskutime të zgjeruara në takimin e G-7.
Kishida siç raporton Kyodo po mendon të bëjë një vizitë dy-ditore në Korenë e Jugut nga e diela, thanë burimet diplomatike.
Hera e fundit që një kryeministër japonez vizitoi Korenë e Jugut ishte kur Shinzo Abe mori pjesë në ceremoninë e hapjes së Lojërave Olimpike Dimërore të Pyeongchang 2018.



