Progresi me inteligjencën artificiale dhe vënia e kësaj të fundit në funksion të shërbimeve digjitale duket të jetë një përparësi e qeverisë shqiptare.
Pas deklaratave për implementimin e AI në sektorë të ndryshëm të jetës publike, ekzekutivi tanimë po ndërmerr hapa konkretë për zhvillimin e teknologjisë në fjalë.
Së fundmi në Shqipëri është kryer një nga transfertat më të mëdha buxhetore në lidhje me Inteligjencën Artificiale.
Bëhet fjalë për akordimin e 1.5 miliard lekë (te reja) për një kompani, për materiale Teknike të Inteligjencës Artificiale.
Paguesi i këtij transaksioni është Autoriteti Kombëtar për Certifikimet Elektronike dhe Sigurinë Kibernetike, një agjenci kjo në varësi të Kryeministrisë.
Vlen për t’u theksuar që kjo është pagesa e parë që bëhet në vendin tonë për shërbimet dhe produktet IA (Inteligjencë artificiale), referuar të dhënave të Open Data Albania. Kjo e fundit bën me dije se pagesa është bërë për kompaninë “FIRST”. Inteligjenca artificiale duket të jetë një nga fushat më me interes për shumicën e shteteve të zhvilluara.
Deri më tani AI është implementuar pak në Shqipëri. Në e-Albania u prezantua së fundmi një operator virtual me modulin e chat GPT që është në dispozicion të atyre që aplikojnë. Megjithatë potenciali i implementimit të inteligjencës artificiale në sektorë të ndryshëm, duket i lartë.
Kujtojmë që kryeministri Rama më herët ka deklaruar se inteligjenca artificiale do të përfshihet në procesin e kryerjes së tenderave publik me qëllim shmangien e korrupsionit.
Po ashtu kreu i qeverisë është shprehur se teknologjia do të ndihmojë edhe në procesin e transferimit të ligjeve të BE-së, gjatë procesit të hapjes së kapitujve të integrimit me Brukselin.



