
Ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu, thotë se ka ndryshuar kontratën e sterilizimit të pajisjeve mjekësore, për të cilën SPAK ka nisur hetimet pas denoncimit të nismës “Thurje”.
Manastirliu tha se pwrveç sterilizimit, pjesë e kontratës janë pesë procese pune që garantojë siguri maksimale për shëndetin e qytetarëve.
Kontrata është ndryshuar në javën e dytë të janarit.
“Kemi amenduar kontratën e sterilizimit, dua të bëj një parantezë këtu, nuk është vetëm një kontratë që ofron vetëm sterilizimin, por pesë procese pune dhe të gjithë elementët që ofrojnë siguri maksimale për shëndetin e qytetarëve. Një amendim i kësaj kontrate ka ndodhur në javën e dytë të këtij muaji, duke reduktuar pagesat mbi 64 mijë ndërhyrje për kompleksitetet. Ajo që kemi përfituar është siguria për qytetarët. Tani mbi 64 mijë ndërhyrje ka reduktim 25% të pagesave për kompleksitetet. Numri i ndërhyrjeve nuk shtohet se duam ne, por nga sëmundshmëria. Ne duhet të synojmë shumë te cilësia, kjo do të thotë se nuk janë të rëndësishëm numrat, por cilësia. Numrat nuk kanë qenë problem”, tha ajo.
Opozita e ka kundërshtuar koncesionin e sterilizimit, duke e cilësuar vjedhje të hapur e një shërbimi që shteti mund ta kryente vetë me shumë më pak para.



