
Zbardhet ngjarja e ndodhur mbrëmjen e djeshme në Klos, ku u gjet i vrarë me thikë Selim Velsula.
Nga hetimet e kryera rezulton se autori i dyshuari është kushëriri i tij, i cili u kap nga policia në zonën e Alliasit në Tiranë.
Policia thotë se menjëherë pas ngjarjes së ndodhur më datë 11 qershor, në fshatin Xibër-Murrizë, ku pranë pronës së tij u gjet pa shenja jete dhe me dëmtime në trup të shkaktuara me mjet prerës, shtetasi Selim Velsula, 65 vjeç, banues në këtë fshat, kanë organizuar punën për nxjerrjen e autorit përpara përgjegjësisë penale dhe për sqarimin e rrethanave të rastit.
Si rezultat i veprimeve të shpejta dhe profesionale hetimore, u zbardh dinamika e ngjarjes. Nga veprimet e kryera, dyshohet se shtetasit Hazbi Velsula dhe Selim Velsula fillimisht janë konfliktuar fizikisht për motive të dobëta dhe më pas shtetasi Hazbi Velsula e ka goditur me thikë Selim Velsula, duke i shkaktuar vdekjen.
Po në vijim të veprimeve, falë informacionit të marrë nga Drejtoria Vendore e Policisë Tiranë për vendndodhjen e autorit të dyshuar, uniformat blu Tiranë kapën në lagjen Allias dhe vunë në pranga autorin e dyshuar të ngjarjes, shtetasin Hazbi Velsula, 32 vjeç, banues në Allias, i cili pas krimit ishte strehuar në banesën e vëllait.
Në cilësinë e provës materiale, u sekuestrua thika e cila, që dyshohet se është përdorur nga autori.
Ndaj të dyshuarit materialet iu referuan Prokurorisë së Dibrës, për veprime të mëtejshme, për veprat penale “Vrasja me paramendim” dhe “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve të ftohta”.



