Ministri i Brendshëm, Bledi Çuçi, në fjalën e tij ishte shumë i ashpër me paralajmërimin e tij për të gjithë ata që do të prekin territorin e Shqipërisë me ndërtime pa leje apo abuzime.
Ai paralajmëroi se ndërtuesit pa leje do të dënohen deri në 15 vite burg. Ministri tha se Policia e Shtetit do ketë hartën e lejeve të ndërtimeve në Shqipëri dhe bëjmë plan kontrolli.
Ende nuk kemi bërë aq sa duhet për sa i takon koordinimi të të gjitha strukturave. Ende punojmë si ishujt të pavarur të pakoordinuar me strukturat e policisë. Mendoj që Ka ardhur koha që policia duhet konsideruar si një e vetme në kuptimin e vendosjes së kontrollit mbi territorin. Përgjegjësi mbi çdo vepër penale duhet ta ketë dhe do ta ketë edhe në realitet tashmë Policia e Shtetit, e cila duhet të kontrollojë çdo centimetër katror në territorin e Shqipërisë. Duhet të ketë grupe të përbashkëta me punonjësin që ka në ngarkim territorin me inspektorin që përgjigjet për mbrojtjen e mjedisit, mbrojtjen e pyjeve apo inspektorin e mbrojtjes së territorit. Dua t'i kujtoj të gjithë ata dhunues se do të përballen me forcën e ligjit, ta harrojnë celularin e ministrit të Brendshëm. Sado i pasur të jetë nuk do të tolerohet më dhunë mbi territorin e Republikës së Shqipërisë.
Ndërsa ministrja e Drejtësisë, Etilda Gjonaj, i bëri një parashtrim të gjitha ndryshimeve ligjore që kanë hyrë në fuqi që kanë plotësuar të gjithë kuadrin ligjor për një mbrojtje sa më të mirë të territorit në vend.
Policia e Shtetit është përgjegjësi dhe ka kompetencat e plota ligjore për të kontrolluar territorin si dhe për të ndaluar ato që nuk kanë zbatuar ligjin dhe që kanë lejuar ndërtimet pa leje. Roli i Policisë së Shtetit, IKMT-së dhe inspektoratet nuk lidhen vetëm me parandalimin e ndërtimeve pa leje por pikë së pari lidhen edhe me mbrojtjen e shëndetit të çdo qytetari shqiptar. Tërmeti na e tregoi qartë këtë. Nga të gjitha ndryshimet ligjore që janë tashmë në fuqi, IKMT ka instrumentet e posaçëm duke u vendosur. IKMT e ka të sanksionuar në ligj vendosjen e masave. Janë ndarë në mënyrë të qartë të gjitha përgjegjësitë e personave që merren me të gjithë procesin e një ndërtimi, që nga planifikuesit deri te zbatuesit apo kontrolluesit. Vetëm zbatimi i ligjit pa kompromis nga ana e institucioneve parandalon dëmet në pasuritë e qytetarëve por edhe në jetën dhe shëndetin e tyre.



