Një deklaratë e zëvendëskryeministrit italian, Luigi di Maio, për krizën e emigrantëve ka përplasur sërish Italinë me Francën.
Të dielën, Di Maio, lideri i Lëvizjes 5 Yjet, njëra prej dy partive në kaolicionin qeverisës, e kritikoi ashpër Francën, kur u shpreh se ajo po vijon ta varfërojë Afrikën me “politikat e saj koloniale”.
“Do të ishim hipokritë nëse do të flisnim për efekte pa kërkuar shkaqet. Nëse sot mijëra njerëz vijnë nga Afrika, kjo bëhet sepse vende europiane si Franca nuk e kanë hequr kurrë nga mendja kolonializimin e Afrikës”, tha Di Maio.
Deklarata nuk u prit mirë në Francë. AFP-ja citon një burim qeveritar, sipas të cilit ambasadori italian në Paris u thirr për të dhënë shpjegime për “komentet e papranueshme dhe të pabaza”.
Kjo është përplasja e radhës mes dy qeverive, të cilat kohët e fundit kanë njohur një ftohje të marrëdhënieve.
Verën e kaluar, presidenti Macron kritikoi qeverinë italiane për refuzimin e emigrantëve.
Ndërsa në fillim të këtij muaji, Salvini dhe Di Maio kanë shprehur mbështetje për protestat e “jelekëve të verdhë” në Francë, që kanë vënë në vështirësi presidentin Macron që prej nëntorit.



