Kanë nisur negociatat mes palës ruse dhe asaj ukrainase, për gjetjen e një zgjidhjeje për t’i dhënë fund luftës. Dy delegacionet u takuan në brigjet e lumit Pripyat, në territorin bjellorus, por shumë afër kufirit me Ukrainën.
Delegacioni rus drejtohet nga asistenti i Presidentit Vladimir Putin, Vladimir Medinsky, ish-ministër i Kulturës.
Ndërsa delegacioni ukrainas, drejtohet nga ministri i Mbrojtjes, Oleksii Reznikov dhe nga lideri i partisë së Presidentit Volodymyr Zelensky, David Arakhamia.
Çështja kryesore e negociatave e hedhur në tryezë nga Kievii, është arritja e armëpushimit të menjëhershëm dhe tërheqja e trupave ruse nga territori ukrainas, njoftoi zyra e Presidentit Zelensky. Delegacioni i Kievit të cilin e shikoni në fotografi, mbërriti të hënën në kufirin Ukrainë-Bjellorusi për të marrë pjesë në negociatat me delegacionin rus.
Delegacioni ukrainas mbërriti në vendin e takimit me dy helikopterë, raporton agjencia ruse Ria Novosti
Forcat ushtarake ruse nisën një sulm ndaj Ukrainës të enjten, me pretendimin se vendi duhej të “çmilitarizohej” dhe “denazifikohej” për të mbrojtur rajonet separatiste Donetsk dhe Luhansk, si dhe Rusinë.



