
Presidenti amerikan, Donald Trump, fajëson Kinën për hyrjen në emailin e candidates rivale Hillary Clinton në vitin 2016.
“Emailet e Hillary Clinton, shumë prej të cilave janë informacion i klasifikuar, u hakeruan nga Kina. Ky do të duhej të ishte hapi i radhës për FBI-në dhe Departamentin e Drejtësisë pas hapave të gabuar që kanë bërë (Comey, McCabe, Strzok, Page, Ohr, FISA, Dirty Dossier etc) ose përndryshe nuk do të kenë kurrë besueshmëri”, shkroi Trump në “Tuiter”.
Ndërsa në një postim të mëparshëm të mërkurën, Trump shkroi: “Kina hyri në serverin e emaileve private të Hillary Clintonit. A janë të sigurt se nuk ishte Rusia (bëj shaka). Sa janë gjasat që FBI dhe Departamenti i Shtetit e dinë këtë? Në fakt, është një gjë e madhe. Është një sasi e madhe informacioni të klasifikuar”.
Hipoteza e Trump hidhet në një kohë kur vijojnë hetimet për dosjen “Russiagate”. Zyrtarë të inteligjencës amerikane kanë hedhur prej kohësh dyshimet se Rusia qëndron pas marrjes së emaileve të zyrtarëve demokratë, me qëllim ndërhyrjen në rezultatin e zgjedhjeve presidenciale në 2016-n, prej të cilave Trump doli fitues.
Robert Mueller po heton rolin e Rusisë në zgjedhjet e vitit 2016 dhe nëse fushata e kandidatit republikan Trump kishte lidhje me Moskën. Rusia mohon ndërhyrjen në zgjedhje, ndërsa edhe vetë Trump ka mohuar se ka pasur bashkëpunim.



