
Gazetari Denis Dyrnjaja komentoi në MCN Live arrestimin e Sekretarit të Përgjithshëm të Ministrisë së Financave, Arlind Gjokutaj, i cili dyshohet për “shpërdorim detyre”. Dyrnjaja tha se ky rast është një nga tronditjet dhe skandalet më të mëdha mbi mënyrën se si funksionon shteti.
Dyrnjaja tha se vetëm në Shqipëri mund të fitosh para vetëm duke kopsitur letra.
Gazetari u shpreh se nëse thellohet çështja do të shkojë në SPAK në kuadër të grupit të strukturuar kriminal.
Dyrnjaja tha se heshtja e ministres së Financave është një lloj “kapje mat”. Sipas tij fakti që Rama po hesht është një mbrojtje për ministren.
Besoj që është një nga tronditjet dhe skandalet më të mëdha, përtej inceneratorëve, për faktin si funksionon shteti. Sekretari i ministrisë së Financave është çelësi. Në të dy mënyrat ky del keq në këtë histori, se kam dëgjuar lart e poshtë, ‘djalë i mirë’... Këto nuk kanë rëndësi përpara ligjit dhe detyrës. Nuk mund të jetë ‘fap fap fap’ dhe pastaj milionat te dikush tjetër. Peshën kryesor e merr posti administrativ, që në këtë rast është sekretari Arlind Gjokutaj. Ministrja e Financave nuk ka folur asnjë fjalë, s’ka mbajtur asnjë përgjegjësi. Rama doli menjëherë për znj. Klosi e cilësoi llum menjëherë, ndërkohë heshtje totale për këtë rast. Dy mundësi janë ose prepotencë, ose hashiqare pa e vrarë mendjen. Në reagimet e para thuhej CV e mirë, nëpunës i mirë. S’dua ta paragjykoj personin, por Alban Ruli është kryetar i Këshillit Drejtues të Dhomës Kombëtare të Përmbaruesve Privatë në Shqipëri. Imagjinoni çfarë bën një përmbarues thjeshtë?! Përfshihet edhe prepotenca, që ‘unë jam kryetar i këshillit të përmbaruesve, kam këtë fuqi’! Kur dashka prokurori bëka një punë dhe zbuloka skandale! Është pak ironike kjo histori, se themi SPAK-u, SPAK-u, SPAK-u, dhe një prokuror i thjeshtë zbulon një skandal. Është kthyer gjithë sistemi për të përfituar para në mënyrë të padrejtë. Të fitosh para vetëm me letra, vetëm në Shqipëri është shënuar kjo metodë. Ky është fenomen i vazhdueshëm, kopsit letra dhe merr para. Shit ajër dhe merr para i thonë kësaj historie!
Dyrnjaja tha se po t’i hyhet shtetit me themeli mund të dalin të tjera “piramida rëre” si rasti i Sekretarit të Përgjithshëm të Financave.
Tek funksionet dua të ndalem pak. Është bërë një ndryshim jo rastësor, që ministrat kanë deleguar të drejtën te sekretarët e përgjithshëm. Kjo është që koston ta marrë sekretari me vetëdije për vendimet që do nënshkruajnë dhe ministrat të jenë komodë. Urdhrin e jep ministri. Jam i bindur që asnjë ministër nuk kalon pa pasur dijeni për asnjë shkresë që përmban një vlerë mbi 1 milionë euro. Besoj që hetimet mund të thelloheshin më shumë mund të na dalin surpriza. Nëse ministrja s’di gjë akoma më keq. Këtu shteti s’paska tra kontrolli fare. Kemi një piramidë rëre që u rrëzoka rast pas rasti sa herë ne gërmokemi. Po t’i hyhet shtetit me themeli kushedi sa piramida rëre na dalin. Është një kambanë e madhe alarmi. Është koha të kthehemi nga drejtësia. Grupi i strukturuar kriminal shkon në SPAK. Shpërdorimi i detyrës shkon deri te Prokuroria e Tiranës. Gjasat dhe indiciet janë që midis palëve janë ndarë para, në një vlerë deri në 8 milionë lekë të reja. Për sa kohë jemi në kushtet e hetimit do mbetemi te Prokuroria e Tiranës. Por me gjasë nëse hetimet thellohet çështja do t’i shkojë SPAK-ut, në kuadër të grupit të strukturuar kriminal, dhe pastaj dënimet shkojnë deri në 15 vjet heqje lirie”.



