Presidenti rus Vladimir Putin i dhuroi Koresë së Veriut mbi 70 kafshë, përfshirë një luan dhe dy arinj, si simbol të miqësisë mes dy kombeve. Lajmi është bërë i ditur nga agjencia e lajmeve Yonhap.
Ministri rus i Burimeve Natyrore dhe Mjedisit Alexander Kozlov urdhëroi transferimin e më shumë se 70 kafshëve nga Kopshti Zoologjik i Moskës në Kopshtin Zoologjik Qendror në Phenian si dhuratë nga Putin për koreano-veriorët, njoftoi agjencia ruse e lajmeve Tass, duke cituar një njoftim për shtyp nga ministria.
Kafshët përfshijnë një luan afrikan, dy arinj kafe, dy jakë, pesë kakato të bardha, 25 fazanë të llojeve të ndryshme dhe 40 rosa mandarine.
Në gusht, Putini i dha liderit të Koresë së Veriut Kim Jong Un 24 kuaj të racës së pastër, të njohur si të preferuarit e Kim, ndërsa Kim i dërgoi Putinit qenë Pungsan, një racë vendase, qershorin e kaluar.
Këto gjeste shkëmbimi simbolik vijnë në kontekstin e një marrëdhënieje gjithnjë e më të ngushtë midis Phenianit dhe Moskës, veçanërisht pas nënshkrimit të një pakti mbrojtjeje reciproke i cili detyron të dyja palët të ofrojnë ndihmë të menjëhershme ushtarake në rast të një sulmi.



