Orban dhe Salvini, mjeshtri dhe dishepulli i populizmit europian

Orban dhe Salvini, mjeshtri dhe dishepulli i populizmit europian

Nëse do të trazosh Bashkimin Europian, ndiq modelin e Viktor Orban-it. Kryeministri hungarez ka zhvilluar dje një takim me ministrin e Jashtëm italian, Matteo Salvini, në Milano. Shumë prej mediave europiane e panë uljen e tyre në të njëjtën tryezë si takimi mes mjeshtrit të populizmit në Europë dhe nxënësit që pretendon ta ndjekë për t’i zënë vendin.

Takimi u kthye në event mediatik. Dhjetëra gazetarë të akredituar, përfshirë edhe televizonin japonez, e ndoqën konferencën e shtypit që pasoi takimin 60-minutësh. Dalja e Orbanit dhe Salvinit para mediave u shoqërua me shtrëngime duarsh e komplimente të ndërsjellta. Orban tha se Salvini është heroi i tij dhe prej tij varet siguria e Europës, ndërsa zëvendëskryeministri italian e vlerësoi bashkëbiseduesin si pikë e qëndrueshme për Europën. “Salvini në Hungari është shumë popullor dhe nëse do të kandidonte, do t’i fitonte zgjedhjet”, tha më tej Orban. Kaq mjaftoi që të kuptohej se dyshja e kritikëve të BE-së ranë plotësisht dakord për një marrëveshje kundër pritjes së emigrantëve dhe për një sulm të përbashkët kundër establishmentit të vjetër europian.

Çfarë mund të mësojë një dishepull si Salvini nga një mjeshtër si Orban? Politico.eu ka bërë një listë me katër pika, te të cilat mund të përqendrohet Salvini për të ecur në gjurmët e kryeministrit hungarez, por që në vetvete nxjerrin në pah atë që i ndan dy populistët më të përmendur të Europës për momentin. 

Mbaji miqtë afër dhe armiqtë akoma më afër

Veprimet e deritanishme të qeverisë italiane nuk janë asgjë në krahasim me ato të qeverisë hungareze. “Orban ia hedh edhe pse nuk i respekton rregullat, thyen unitetin europian për politikat e jashtme, afrohet me Putinin apo akuzohet për korrupsion në vendin e tij. Asgjë nuk i ndodh. Ai është pjesë e PPE”, thotë një një zyrtar i lartë italian, duke iu referuar Partive Popullore Evropiane të qendrës së djathtë, grupimi më i madh politik në Evropë, pjesë e të cilit është edhe CDU, partia e kancelares gjermane, Angela Merkel.

Lega e Salvinit nuk ka “miqësi” kaq me prestigj në Europë (dhe as Lëvizja 5 Yjet). Për zyrtarin e lartë të Italisë, anëtarësimi në PPE mund të kthehet në një mburojë kundër kriticizmit dhe sanksioneve. (Megjithëse janë shtuar zërat për përjashtimin e partisë Fidesz të Orbanit nga PPE, çka do ta dobësonte këtë grupim përpara zgjedhjeve evropiane të vitit të ardhshëm).

Pjesë e strategjisë për të ruajtur mbështetjen e PPE është t’i bësh liderët e saj të besojnë se ke edhe opsione të tjera. “Orban ka ambicie për një rol më të fuqishëm në Europë”, ka thënë një nga zyrtarët e lartë të partisë së tij. “Por ai dëshiron ta transformojë PPE-në dhe nëse nuk ia del, është i gatshëm të krijojë një aleancë të re”.

Vendos rregull në ekonominë e shtëpisë

Borxhi publik i Italisë është i madh (2.3 trilionë euro) dhe kjo do të thotë se Brukseli e ka gjithmonë nën vëzhgim. Salvini thotë se nuk e vret mendjen nëse BE-ja shqetësohet dhe dëshiron të rrisë shpenzimet (së bashku me aleaten Lëvizja 5 Yjet, ata kanë bërë premtime elektorale që kanë kosto të lartë), por dobësia e ekonomisë italiane i inatos njësoj burokratët, tregjet dhe politikanët.

Në Hungari, qendra e vëmendjes nuk është kjo. Ekonomia e saj është e vogël, rreth 1/10 e asaj të Italisë. Hungaria nuk është pjesë e eurozonës dhe rreziku i përhapjes së krizës është i vogël.

Mbështet BE-në sa për të thënë

Orban është kritik ndaj elitave europiane dhe pretendon se Komisioni Europian dhe Parlamenti Europian punojnë kundër interesave të Hungarisë,  por megjithatë në dukje e aprovon rëndësinë e BE-së dhe institucioneve të saj. Salvini nuk e bën këtë. Ai flirton me largimin nga eurozona (që do të thotë edhe dalje nga BE), e sulmon bllokun europian çdo ditë, madje edhe e ka fajësuar për shembjen e urës në Xhenova, ku vdiqën 43 njerëz.

“Orbán është i zoti në shfaqjen si revolucionar kur flet me audiencën e tij, por në Këshillin e Evropës ai ndjek rrjedhën tradicionale", thotë Peter Krekó, drejtor i Institutit të Politikave në Budapest.

Kontrollo mediat dhe prokurorët

Në Hungari, kombinimi mes ndryshimeve ligjore dhe hedhjes së milionave nga fondet shtetërore në mediat proqeveritare ka bërë që të mbeten shumë pak të tilla të pavarura dhe akoma më pak nga ato që investigojnë në thellësi çështje që kanë të bëjnë me shtetin.

Si rezultat, disa polemika që mund të lindin marrin pak ose aspak vëmendje, si brenda edhe jashtë vendit. Në të njëjtën kohë, një aleat besnik i Orbanit tani është prokuror i përgjithshëm, që do të thotë se edhe kur institucionet e BE-së ngrenë shqetësime për çështje që përfshijnë edhe korrupsionin e familjes së kryeministrit, asnjë hap ligjor nuk ndërmerret.

Salvini është shumë larg këtij niveli kontrolli. Në Itali, prokurorët janë të pavarur, shumica e mediave janë kundër tij dhe ai nuk kontrollon asnjë kanal televiziv, edhe pse ka shumë mbështetje në rrjetet sociale. Pra, nxënësit i duhet të mësojë shumë nga mësuesi.  / Përgatiti: Gazmira Sokoli / 

MCN Radio logo
MCN Radio
103.1 FM
Drupal Ad
Drupal Ad
MCN Radio logo
MCN Radio
103.1 FM
Radio
Intro

MCN TV është një televizion gjeneralist, i cili përfshin emisione, seriale, filma, dokumentarë etj. Ky televizion ka në dispozicion të tij katër studio televizive të pajisura me teknologjinë bashkëkohore.

Kategoritë
Streaming

MCN TV

MCN Radio

Contact

info@mcn.tv.al

+355 422 00200

All rights reserved. MCN 2025

Terms and ConditionsPrivacy Policy